Sizmologu mbështet projektligjin e qeverisë: Shtëpitë duhet të ishin siguruar më herët nga tërmetet

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019 me epiqendër në Durrës ishte një alarm i fortë për të gjithë ne, se rreziku nga fatkeqësi të tilla natyrore është aty në çdo moment.

Për këtë arsye qeveria tha se po planifikon ta bëjë të detyrueshëm sigurimin e shtëpisë nga tërmeti, sipas një skeme shtetërore.

Pro kësaj nisme ka dalë edhe sizmiologu Rrapo Ormëni që e konsideron një iniciativë shumë të rëndësishme, duke patur parasysh që Shqipëria është ndër vendet me aktivitet më të theksuar sizmik në Evropë.

“Kjo do t’i bënte mirë gjithë qytetarëve, gjithë shoqërisë sonë, që të siguronte banesat, sepse rreziku nga tërmeti ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në vendin tonë. Projektligji është i nevojshëm në kushtet kur Shqipëria renditet e para në Evropë për Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive të monitoruar nga Banka Botërore.

Ndoshta duhej të ishte bërë edhe më shpejt, por varet nga rrethanat, konteksti i kohës. Fakti që kishte 40 vjet pa patur tërmet të fortë, ndoshta ky fakt e kishte penguar të ishte bërë më shpejt. Por pas tërmetit të 2019-tës, kjo ishte domosdoshmëri.

Ne jemi ndër vendet që ndodhen në buzën e përplasjes së pllakave kontinentale, afrikane me atë euroaziaktike, ku ndodhet Greqia, Italia, Turqia dhe vendi ynë. Pastaj duke marrë parasysh që kemi 3 breza sizmikë me tërmete shumë të forta siç është ai Joniko-Adriatik, brezi Korçë-Ohër-Peshkopi dhe Vlorë-Lushnje-Elbasan-Dibër, ky projektligj është shumë i rëndësishëm për gjithë territorin e vendit tonë ku tërmete me magnitudë 5, bien një herë në 2-3 vite që rrezikojnë gjithë vendin.

Tarifa që do të vendoset nga Ministria e Financave besoj se do të jetë diku tek 20-25 Euro në vit, pra afërsisht 2 euro në muaj”-tha sizmiologu .

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik një ditë më parë ndryshimet në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”. Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk do të përfshijë kompanitë private të sigurimeve, por do të menaxhohet nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit.

Projektligji parashikon detyrimin për të siguruar të gjitha banesat dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme.

Në nenin 33 të pr/ligjit për “Sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” thuhet se “Qytetarët që nuk paguajnë primin e sigurimit të detyrueshëm të banesës nga tërmeti nuk do të marrin dot shërbime publike nga platforma e-albania, përfshi shërbimet kadastrale, ndërsa bizneset nuk do të marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit”.

Sipas këtyre ndryshimeve, detyrimin për blerjen e policës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne