Bota

S’ka ndryshime, Zyra e Programit të Përbashkët F-35 do të ekzekutojë planet aktuale

Zyra e Programit të Përbashkët F-35 (JPO) deklaroi se do të vazhdojë të ekzekutojë planet aktuale të programit me të gjithë partnerët e avionit luftarak F-35 dhe të veprojë sipas udhëzimeve të politikave të ardhshme.

“Zyra e Programit të Përbashkët F-35 po mbështet nevojën e Departamentit të Mbrojtjes për t’i paraqitur Kongresit raportin në lidhje me statusin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Republikën e Turqisë, siç është udhëzuar në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2019 (NDAA)”, njoftoi Zyra përmes një komunikate të shkruar për Agjencinë Anadolli (AA).

“Trajnimi i personelit turk të avionëve F-35 në Bazën Ajrore “Luke” do të vazhdojë derisa sekretari i Mbrojtjes të dorëzojë në Kongres raportin për avionët F3-5, siç kërkohet nga NDAA-ja, për të vendosur në lidhje me rrugën që do të ndiqet në vijim”, shtoi ajo.

Duke iu referuar gjendjes së priftit amerikan, Andrew Brunson, i cili vazhdon të gjykohet në Turqi për lidhje me organizatën terroriste gyleniste (FETO) dhe organizatën separatiste terroriste, PKK, në Kongresin e SHBA-së janë ndërmarrë disa nisma për të penguar shitjen e avionëve F-35 Turqisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi në fillim të javës një projektligj për shpenzimet e mbrojtjes prej 716 miliardë dollarësh, i cili përfshin gjithashtu një amendament që ndalon shitjet në Turqi të avionëve luftarakë të përbashkët, F-35, derisa Pentagoni të lëshojë një raport mbi marrëdhëniet turko-amerikane në 90 ditë.

Raporti pritet të përfshijë një vlerësim të pjesëmarrjes së Turqisë në programin F-35, si dhe “rreziqet” që mund të paraqiten nga blerja e sistemit rus të mbrojtjes raketore, S-400, nga Turqia.

Largimi i Turqisë nga programi F-35 u nxor nga projektligji me një vendim të Komitetit të Konferencës së Kongresit amerikan.

Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin, tha të mërkurën se “Turqia nuk është vetëm një vend blerës i avionëve F-35, por njëherësh partner në projekt gjithashtu dhe deri më tani (Turqia) ka bërë të gjitha pagesat e nevojshme që i janë kërkuar”.

Turqia është bërë pjesë e Programit të Avionit Luftarak të Përbashkët (JSF) në vitin 2002. Në kuadër të këtij projekti shumëkombësh nën drejtimin e SHBA-së, Turqia synon të blejë 100 avionë luftarakë të gjeneratës së pestë, F-35 Lightning II.

Krahas Turqisë, vendet e tjera pjesëmarrëse në programin JSF janë SHBA-ja, Britania e Madhe, Italia, Holanda, Kanadaja, Australia, Norvegjia dhe Danimarka./ trt

OPINIONE