Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda mbi një aferë të dyshimtë financiare të lidhur me USAID-in, ku përmend emrat e ish-ministres së Financave Delina Ibrahimaj, ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, në këtë skandal janë të përfshira edhe ish-bashkëshortja dhe bashkëshortja aktuale e Ramës, të cilat sipas pretendimeve të Berishës, kanë pasur një rol kyç në ndarjen e fondeve.
Ndërkohë që Çuçi dhe Ibrahimaj janë përpjekur të mohojnë çdo lidhje me fondet e USAID-it, duke deklaruar se nuk kanë marrë “asnjë qindarkë”, Berisha kundërshton këtë pretendim, duke pohuar se 10 milionë euro janë të lidhura me kontrata konkrete. “Paratë janë aty, me letra e me firmë, dhe ata thonë nuk kemi marrë gjë”, u shpreh ai, duke e akuzuar drejtpërdrejt Ramën për heshtje dhe shmangie nga përgjegjësia.
Për më tepër, Berisha e lidh këtë çështje me një përpjekje të Ramës për të larguar vëmendjen nga skandalet e qeverisë, duke organizuar mitingje elektorale që, sipas tij, shkelin hapur ligjin. Ai theksoi se mitingu i fundit i PS-së është një akt i pastër kriminal, pasi administrata u detyrua të dalë në shesh për të mbështetur pushtetin.
Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse SPAK do të nisë një hetim serioz mbi këto akuza, apo nëse kjo do të jetë një tjetër çështje që do të mbyllet në heshtje, si shumë të tjera më parë./gazetaimpakt