Sociale

Skandali me inertet në Shijak, kamionët e ushtrisë shkelin ligjin

“Një pikë e re ilegale e inerteve është krijuar vetëm pak ditë me parë pranë Shijakut. Inertet e gjimnazit të Shijakut janë hedhur nga kamionët e ushtrisë në këtë venddepozitim të paligjshëm në fushë të gjelbëruar kur në fakt këto inerte duhet të ishin në vendepozitimin e miratuar nga instancat shtetërore. Ende nuk dihen arsyet përse inertet kanë përfunduar në këtë vend. Ato janë hedhur në mënyrë të papërgjegjshme duke krijuar shqetesim tek banorët e zonës”

News24 bëri një vëzhgim dhe zbuloi lehtësisht, se në rrugët e Shijakut anës tyre shikon inerte të derdhura. Kamionët e ushtrisë i lënë radhën njëri-tjetrit duke transportuar inertet e gjimnazit të Shijakut. Qindra ton inerte kanë përfunduar këtu pranë autostradës Tiranë-Durrës në zonën e quajtur Mbikalimi i Fllakës.

Vetëm dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama inspektoi lagjen “Lugina” e shkatërruar ndjeshëm nga tërmeti i 26 nëntorit. Ushtria të hënën nisi operacionin e pastrimit të inerteve me qëllim për t’i transportuar në vdendepozitimin e përcaktuar nga qeveria.

Por mesa duket ushtria i ka rënë shkurt pasi kamionët janë ngarkuar me inertet e gjimnazit siç i shikoni në këto pamje dhe i po vazhdojnë të hidhen në këtë fushë të gjelbëruar duke shkelur kështu jo vetëm ligjin per menaxhimin e mbetjeve por duke shqetësuar edhe komunitetin përreth për ndotjen e paprecedentë.

Përveç kamionëve te ushtrisë ne mbikalimin e Fllakës të vetmit që po punojnë janë disa njerëz në mes inerteve në kërkim të telave elektrikë, betonit, hekurit, tullave dhe materialeve të ndërtimit, të cilat më pas i shesin. Ende nuk dihen motivet përse Forcat e Armatosura keto inerte nuk i hedhin ne vendet e përcaktuara nga institucionet përkatëse. Malet me inerte rriten nga dita në ditë dhe per me teper ne ane te aksit rrugor me te rëndësishëm ne vend. Mbetet ende e paqartë se kur do të lëvizin këto grumbullime. Për këtë problem madhor që shqetëson komunitetin e ndot mjedisin pritet një përgjigje./BW

OPINIONE

INTERVISTA