Shqiperia

Skandali në Fiks Fare/ Gjykata e Shkodrës rigjykon një çështje të Gjykatës së Lartë të vitit 2007!

Fiks Fare denoncoi një vendim të Gjykatës së Shkodrës të vitit 2013, e cila ka rigjykuar një çështje të Gjykatës së Lartë të vitit 2007. Terezina Gjergji u ankua në emisionin investigativ se ka pasur disa çështje në gjykim për një çështje pronësie në fshatin Stajkë në Bushat, Shkodër. Çështja ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë, e cila më datë 4 tetor 2007 ka fituar gjyqin me komshiun. Çështjen e ka ekzekutuar përmbarimi dhe qytetarja ka marrë pronën e saj.

Më pas qytetarja ka ikur në emigracion dhe, para një viti ka mësuar se për të njëjtën pronë, ka një vendim të Gjykatës së Shkodrës, të gjyqtarit Albano Çepele. Ky vendim është dhënë në vitin 2013, që një pjesë të pronës së gjykuar deri në Gjykatën e Lartë, ia ka dhënë sërish komshiut. Qytetarja nuk ka marrë dijeni asnjëherë, pasi ka qenë në emigracion. Ajo thotë se bëhet fjalë për të njëjtën pronë, me parcelë 360/2 në fshatin Stajkë në Bushat. Më pas ka shkuar në dy gjykatat dhe ka marrë vendimet, ku çuditërisht emri i saj nga Terezina Gjergji është bërë Terezina Zefi. Madje i kanë ngatërruar edhe vitin e lindjes me qëllimin e vetëm që mos të zbulohej se çështja ka qenë e gjykuar në Gjykatën e Lartë. “Disa padi të komshiut, gjykatat ia pushojnë, duke i kërkuar që të rishohë edhe njëherë palët. Vetëm padia e tretë u gjykua nga gjyqtari Albano Çepele. Në këtë rast padia nuk ishte bërë me emrin e saktë” thotë ajo. Në fund, gjyqtari Albano Çepele ia pranon padinë dhe vendos në favor të komshiut të saj.

Qytetarja, sëbashku me bashkëshortin e saj, shkojnë në Gjykatën e Shkodrës, për të takuar gjyqtarin Albano Çepele. Punonjës të gjykatës i thonë se nuk mund ta takojë këtë gjyqtar, pasi ditën e premte ai nuk shkon në punë. Më pas, ata takojnë kancelaren e gjykatës dhe pasi i tregojnë për këto vendime, kancelarja thotë se diçka e tillë është bërë me qëllim dhe kush e ka bërë të mbajë përgjegjësi. Ajo i thotë t’i drejtohen Prokurorisë së Shkodrës për këtë falsifikim dhe nëse ka përgjegjësi kallëzuesi, sekretarja, avokati apo vetë gjykata të mbajnë përgjegjësi.

Me të dyja vendimet e formës së prerë, të Gjykatës së Lartë në 2007 që i ka dhënë pronën dhe të Gjykatës së Apelit Shkodër në 2015 që i ka hequr pronën, qytetarja shkon në Hipotekë dhe pyet juristin se cilin vendim do të regjistrojë hipoteka. Juristi i thotë se duhet t’i drejtohet sërish Gjykatës së Lartë, për të vendosur se kujt i takon sërish prona.

***

Qytetarja shkon në Gjykatën e Shkodrës

Qytetarja – Po Albano Çepele, ka ka gjyq sot aa?

Punonjësi – Jo, s’ka.

Punonjësja – Ti ke ardh me taku gjyqtarin?

Qytetarja – Po.

Punonjësja – Ditë të premte nuk vjen.

Qytetari – Ne rrimë jashtë, në donim Albano Çepelen.

Kancelarja – Gjyqtari nuk është sot.

Qytetari – E kemi të domosdoshme ta takojmë, për arsye se zonjës në fjalë i ka bërë një gjyq për një çështje të gjykuar në Gjykatën e Lartë. Ai i ka ndërruar emrat, kush ia ka ndërruar i dinë ata. I ka ndryshuar gjeneralitetet, me të tana. S’i ka dhënë të drejtë për avokat, se nuk i ka njoftu.

Kancelarja – Ça viti?

Qytetari – Në 2013-ën. Për të njëjtën pronë, për të njëjtën tokë, për të njëjtën çështje, me të njëjtët paditës.

Qytetarja – Është ekzekutu.

Kancelarja – Terezina Zefi?

Qytetarja – Po.

Kancelarja – (Shikon regjistrin) Në 2013-ën je te gjyqtar Rezart Kaçkini, me Pjetër Dajanin.

Qytetarja – Po.

Kancelarja – Prapë në 2013-ën, i 6-ti, qershor, te gjyqtare Valbona Duraj.

Qytetarja – Po, edhe ajo e refuzon.

Kancelarja – Pastaj ke në 2013-ën ke …

Qytetari – Të dy tregohen korrektë shumë

Kancelarja – Me Albano Çepelen. Ti thu për këtë. Detyrimin për njohje pronar për pasurinë e paluajtshme, ku paditës është Pjetër Dajani, e paditur jeni ju.

Qytetarja – Po.

Kancelarja – Terezina Zefi, e vitlindjes ’58-ës.

Qytetari – Ëë, ajo është e ’57-ës.

Kancelarja – Nejse, mund të jenë dhe gabime lapsuse që hedh në padi.

Qytetarja – Jo, jo, aty ka fillu. Është për të njëjtën pronë.

Kancelarja – Jam shumë dakord me ty, duke qenë i paditun, nuk është se ka gjyqtari ka detyrimin e asaj. Thjesht i kërkon gjeneralitetet. Dhe ka vendos; pranimin e kërkesë-padisë së Pjetër Dajanit, detyrimin që Komuna Bushat t’i njohë paditësit pronar të një sipërfaqe 417 metra katrorë, të përcaktuar sipas ekspertimit të ndodhur, brenda ngastrës 360, fshirjen e regjistrimit për këta në emër të Gjon Palushanit.

Qytetari – Si ka mundësi, që ne jemi në Itali dhe ndërrohen gjeneralitetet?! Dhe bën një gjyq të një çështje të gjykuar, të një çështje të ekzekutuar me përmbarues.

LEXO EDHE:  3.4 mln euro në “Toyota Yaris”/ Gjykata përfundon shqyrtimin e çështjes Balla-Basha

Kancelarja – Nuk është e njëjta pronë?

Qytetari – E njëjta pronë për të gjitha gjyqet.

Kancelarja – Të gjitha gjyqet?

Qytetari – Të gjitha, janë faktet. Tani ka dy vendime të formës së prerë. Një të Gjykatës së Lartë që e heq nga harta dhe një të Gjykatës së Apelit që e fut në këtë hartë. Unë nuk e di se kush do të vendoset tani.

Kancelarja – Nëse objekti ka kën i njëjti në kërkesë-padi, si ajo që ka shkuar te prona, si te ajo që ka shku te Albanoja në rastet e juja, është faji i dikujt tjetër që i ka regjistru dhe nuk i ka bashkuar në një. Është një kryesekretari që i rregullon marrëdhëniet në momentin e regjistrimit.

Qytetari – A mban dikush përgjegjësi për këto ndërrime gjeneralitetesh që i kanë ba?

Kancelarja – Nuk ta vë në diskutim hiç atë pjesë. Me marr një avokat dhe me ba një rishikim të këtij vendimi të Çepeles në Gjykatën e Lartë. Pse? Sepse i është drejtuar një personi jo ekzistent.

Qytetari – Me ça kam kuptu unë, këtë e kanë përdorur. Unë ndjej dhimbje për të (gjyqtarin).

Kancelarja – Është fatkeqësia e këtij shteti që nuk e çon njeriun atje ku duhet. Tani del kjo që thua ti. Është bërë dy herë dhe janë ndryshuar gjeneralitetet që të shkojë te një gjyqtar tjetër.

Qytetari – Ka qenë strategji. A mban dikush përgjegjësi për këtë?

Kancelarja – Ai që ka ushtruar të drejtën e padisë, vetë Dajani. Pjetri ka të drejtë me padit tënë botën, Terezina Gjergjin, Terezina Zefin, Terezina, Terezina…, sa dush me i vu emra kësaj zonjës. Mund të jetë e njëjta. Ose prona bëhet fjalë për të njëjtën, po në sekretari nuk e identifikon dot, pa gjatë gjykimit. Do t’i drejtohesh, 1 prokurorisë dhe 2 gjykatave për me riparu kët dëm. A ia ka ba avokati, a ia ka ba sekretarja, të shpërthejë përgjegjësia atje ku duhet. Aman ti konfliktin e ke me të, se ai ka rrëjt gjeneralitetet tuja. Sesi ia kanë ba atij, sesi ia kan gjet rrugët atij, avokat, qoftë edhe gjykata, qoftë sekretarja, këto janë probleme që zgjidhen hap pas hapi. Ti provat i ke.

***

Qytetarët shkojnë në Hipotekën e Shkodrës

Qytetarja – Cilin vendim do të merrni ju?

Juristi – Nëqoftë se ke një vendim të formës së preme dhe e keni prurë për regjistrim. A e keni prurë për regjistrim vendimin?

Qytetari – Ne e kemi prurë për me marrë certifikatën e pronësisë.

Juristi – Nëse ju keni prurë një vendim të formës së prerë dhe keni apliku dhe ai vendim është i regjistrueshëm, që plotëson atë që parashikon ligji. Ne i shqyrtojmë dhe regjistrohet vendimi i gjykatës. Nëse ju, ju kanë bërë padrejtësi me vendim gjykate.

Qytetarja – Po padrejtësi kanë ba.

Juristi – I drejtoheni gjykatës ma ta lartë dhe ajo shqyrton vendimin, a është marrë padrejtësisht. Për këtë rastin që thoni ju, nëse ka një vendim të Gjykatës së Lartë, që e ka shqyrtuar njëherë çështjen, Gjykata e Lartë e shpall të pavlefshëm këtë vendim.

Qytetari – A do të qëndrojë kjo hartë kështu nga Hipoteka e Gjykatës së Apelit apo do të qëndrojë kjo e Gjykatës së Lartë. Kaq du me dit ne, nji kaq gjë prej jush.

Juristi – Problemi është se nuk ke si me dit. Nëse të kanë prurë me regjistru një vendim në zyrën tonë, të marrë prej gjykatës, regjistruesi nuk jam unë.

Qytetarja – Unë e kam ceritifikatën e pronësisë, desha me e dit, a pranohet kjo a kjo? Unë për njat punë e kam fut brenda atë. Cilën certifikatë do më jepni ju njëherë?

Juristi – Cilin vendim gjykate ke pru me regjistru?

Qytetarja – Unë e kam pas me vendim të Gjykatës së Lartë.

Juristi – Nuk ka pse me u regjistru, sepse ka lënë në fuqi një pronë që e ke pas regjistru, nuk ke pse me e regjistru. Nuk ke pse me e regjistru me një vendim tjetër, këto janë faktet. Dhe aty mbaron detyra jonë sepse përndryshe as do kishte ekzistu gjykata, e mirë e keqe si do që të jetë. Ne nuk japim vendime, ne i regjistrojmë vendimet. Regjistrojmë aktet e fitimit të pronësisë. Tani ça me të thën unë; ka vepru keq gjykata?! Me at dokumentacion, bani dhe një kërkesë me pretendimet tuaja, në dijen tonë, ai vendim na cënon, nuk jena dakord ne me regjistru atë vendim, me aplikimin tuaj të mos regjistrohet të paktën.

OPINIONE

INTERVISTA