Skanderbeg-u i islamofobëve

nga Justinian Topulli.

Terroristi që kreu masakrën e fundit në Zelandën e Re, në manifestin e tij të shkruar, ku ‎përligjte krimin nga pikëpamja e tij etno-raciste, kishte përdorur për gati njëzetegjashtë herë ‎fjalën “pushtues” (invaders). Këta pushtues -sipas tij- ishin të gjithë ata njerëz jo të bardhë, jo ‎evropian që me emigrimin dhe shtimin e tyre demografik po pushtonin Perëndimin! Ai thotë se ‎raca e tij është vënë në rrezik nga këta “pushtues” me ngjyrë që po i “uzurpojnë” atij tokën e të ‎parëve të tij! Kështu që për të ky veprim ishte një akt “çlirimi” dhe vetja i dukej si një “partizan ‎çlirimtar”, që po i hapte sytë Evropës dhe Perëndimit, nga rreziku që i kanoset. Ai thotë se ‎politika e diversitetit është dobësi ndërsa uniteti etno-racor dhe kulturor është fuqi. ‎
Mes emrave të shumtë, që ai kishte zgjedhur si heronj të tij këtij modeli të çlirimit nga ‎pushtuesit e huaj, ishte edhe emri “Skanderbeg” i shkruar mbi armën e tij të krimit! Gjithkush ‎mund të thotë se ky është një keqpërdorim i një njeriu të papërgjegjshëm dhe ne nuk kemi pse ‎ta ngatërrojmë heroin tonë kombëtar me aktin monstruoz të një terroristi. Po kjo është e ‎vërtetë, por ajo që na intereson ne këtu nuk është vetë Skënderbeu, dhe se çfarë ka bërë ai, por ‎se kush e frymëzoi dhe nga i erdhi ideja këtij njeriu për ta shfrytëzuar këtë figurë për “kauzën” ‎e tij? Padyshim, ne e dimë mirë, se këtë dimension kriminal kundra muslimanëve ia japin sot ‎kësaj figure, emra të njohur në trevat shqiptare, si studiues, gazetarë, klerikë etj. Kështu që kur ‎Skënderbeun e përdorin vetë shqiptarët islamofob, si hero të një feje kundra një feje tjetër, nuk ‎është fare habi ta përdor edhe një anglosakson terrorist, që kërkon “heronj” për kauzën e tij ‎neo-fashiste.


Ne, si muslimanë, kemi vite që denoncojmë gjuhën e urrejtjes anti-muslimane që përdoret ‎nëpër mediat tona, madje “vrasësi me pagesë i publicistikës shqiptare” K.Myftaraj është modeli ‎më i paskrupullt i asaj, të cilën të tjerë e thonë nën zë, ose me gjuhë më të moderuar, të një ‎gjenocidi anti-musliman, në të gjitha dimensionet e tij. Rrjetet sociale dhe portalet e ndryshme, ‎mbushen pafund me komente anti-muslimane dhe kundra tyre nuk merret asnjë masë ndalimi. ‎Teza idiote, që hasim shpesh nëpër komente, se shqiptarët muslimanë në këtë vend nuk janë ‎me origjinë shqiptare, por mbetje racore e turqve, nuk është vetëm se ndikim i drejtpërdrejtë i ‎kësaj fryme raciste, që i sheh të gjithë muslimanët në Evropë si të ardhur dhe pushtues. Ky ‎racizëm i bardhë, që e sheh zgjidhjen te pastërtia etnike dhe kulturore e çdo vendi, harron që ‎një pjesë të mirëqenies së tij e ka ngritur mbi kolonizimin ekonomik, politik e kulturor të ‎vendeve të tjera me ngjyrë. Harron se shfrytëzon burimet natyrore të shumë prej këtyre ‎vendeve, kundrejt çmimeve qesharake dhe ua rimerr atë duke i shitur produktet e tij shumë ‎herë më shtrenjtë. Racistët e bardhë evropian harrojnë se korporatat dhe shtetet e tyre ‎mbështesin regjimet kriminale të mjaft prej këtyre vendeve që ata shfrytëzojnë, dhe pasi i ‎rrjepin u ofrojnë kredi për të mbajtur veten me bukë, dhe pastaj i varin gjithë jetën pas ‎interesave të tyre bankare. Këto vende janë të gatshme të bëjnë edhe luftë me armë për të ‎mbrojtur interesat e tyre ekonomike, por kur vjen puna për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ‎legjitime të këtyre popujve, për të përmbysur marionetat e interesave të tyre, mjaftohen me ‎deklarata dhe raporte boshe. ‎
Evropa dhe Perëndimi i kanë hapur dyert emigrantëve me ngjyrë, jo thjesht për shkak të ‎humanizmit dhe multikulturalizmit, pikëpamje këto që padyshim i besojnë shumë evropianë, ‎por edhe për shkak të nevojës së madhe që ata kanë për krah pune, për rigjallërim të popullsisë ‎së tyre të plakur. Kështu që ky “pushtim me ngjyrë” i perëndimit është pasojë e drejtpërdrejtë e ‎pushtimeve të tij kolonialiste ndaj këtyre vendeve si dhe e dekadencës morale të vetë ‎Perëndimit, që ka sjellë si pasojë tkurrjen e tij demografike. ‎
Po ne shqiptarët ku bëjmë pjesë në këtë mes?

 

Padyshim që ne jemi racë e bardhë evropiane, ‎por ndërkohë shumica jonë i përkasin një feje, të cilën racistët e bardhë e konsiderojnë si fe ‎aziatike e njerëzve me ngjyrë, dhe pikërisht për këtë, për ta ne jemi njerëzit më të urryer -siç ‎shprehej vrasësi australian në manifestin e tij- sepse kemi tradhtuar fenë e të parëve! Të njëjtën ‎gjuhë dhe teza i dëgjojmë përditë edhe këtu në mesin tonë, mes shqiptarëve tanë, që befas ‎paskan zbuluar se bashkëkombësit e tyre musliman dhe feja islame na zhveshkan nga të qenit ‎shqiptarë dhe evropianë madje edhe nga të qenit racë e tillë! Kështu që për më ekstremistët ‎mes tyre, qofshin fetar ose laik, islami dhe muslimanët duhen zbuar apo zhdukur nga këto troje ‎me çdo mënyrë, ndërsa për më të moderuarit mes tyre një islam i vdekur dhe muslimanë ‎paidentitet është zgjidhja më e mirë. Dhe të dyja palët na kanë vënë para zgjedhjes ose ‎‎”shqiptar i mirë” ose “musliman i devotshëm”, sepse të dyja për ta është e pamundur. Ose të ‎bëhemi të krishterë apo laik, dhe të adhurojmë idhujmitet e tyre, ose shqiptaria jonë është e ‎dyshimtë dhe kemi nevojë të deradikalizohemi. ‎

Fakti që ngjarje të tilla si kjo e Zelandës së Re, nuk kanë ndodhur te ne dhe shpresojmë të mos ‎ndodhin, kanë të bëjnë pikërisht me faktin se shqiptarët muslimanë janë autoktonë në këto ‎troje, janë racë e bardhë, përbëjnë një shumicë të konsiderueshme dhe nuk perceptohen si racë ‎e huaj me ngjyrë nga bashkëkombësit e tyre jomusliman. Por, ndërkohë islamofobët shqiptarë ‎po kërkojnë me çdo kusht që racizmin e tyre kulturor ta zbrazin ndaj çdo simbolike publike të ‎Islamit, duke i identifikuar ato njëlloj si racistët e bardhë, me ngjyrën e lëkurës së ‎joevropianëve që po “pushtojnë” Perëndimin me shtimin e prezencës së tyre. Pikërisht mbi ‎këtë bazë simbolike-fetare, kulturore dhe tezë pseudoracore, ndërtohet sot ligjërimi islamofob ‎shqiptar. “Skanderbeg-u” i islamofobëve shqiptar sot mund të mos vrasë njerëz me armë, por ‎gjuha e urrejtjes që ai mbjell përditë kundra muslimanëve dhe fesë së tyre, nuk është më pak e ‎dëmshme. Kështu që si shtetit shqiptar, si instituteve dhe ambasadave të huaja, që ‎sponsorizojnë studime dhe projekte kundra ekstremizmit të dhunshëm, mes muslimanëve, do ‎t’i sugjeroja të merren seriozisht edhe me islamofobinë dhe pasojat e saj të rrezikshme në ‎shoqërinë shqiptare, nëse duan t’i paraprijnë ndalimit të krimeve të paralajmëruara për vite me ‎radhë. Ndërkohë besimtarëve musliman do t’i bëja thirrje që t’i përballojnë këto momente të ‎vështira, ashtu si Profeti ynë në raste të ngjashme, me lutje, maturi dhe durim, pa kaluar në ‎vetëviktimizim qaraman dhe as shfryrje të ulëta ofenduese ndaj njerëzve dhe pa i hyrë në hak ‎asnjërit, sepse me të vërtetë Allahu është me durimtarët. ‎

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne