Sondazh: Gjermanët dhe italianët nuk e besojnë histerinë e “pushtimit rus” të NATO-s

Sipas një sondazhi të Sputnik të kryer para samitit të NATO-s në Bruksel, italianët, gjermanët dhe francezët në përgjithësi nuk besojnë në pretendimet e NATO-s për një pushtim të mundshëm rus të Polonisë dhe shteteve balltike. Ndërkohë, britanikët dhe amerikanët kanë mendim të ndryshëm.

Shumica e të anketuarve në Itali (69%) dhe Gjermani (60%) dhe pothuajse gjysma e francezëve (47%) nuk besojnë se Rusia ka plane për të pushtuar Poloninë dhe shtetet balltike. Një mendim i tillë është mbajtur kryesisht nga brezi i vjetër me një nivel të lartë arsimi.
Përkundrazi, në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, njerëzit e arsimuar mirë nuk e përjashtojnë një pushtim rus të Europës Lindore. Dyzet e tre përqind e britanikëve dhe 55% e amerikanëve, kryesisht demokratë, pajtohen se një gjë e tillë është e mundur.

Sondazhi përfshinte 4.005 të anketuar dhe u krye në periudhën 21-27 prill nga kompania më e vjetër franceze e angazhuar në studimin e opinionit publik – IFop.

Në qershor të vitit 2016, nën pretekstin e pengimit të “agresionit rus”, NATO shpalli se do të vendoste katër batalione në Lituani, Letoni, Estoni dhe Poloni.

Moska, nga ana e saj, ka theksuar vazhdimisht se Rusia kurrë nuk do të sulmojë asnjë prej vendeve të aleancës. Sipas Ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, NATO e di këtë por po përdor thjesht një justifikim për të vendosur më shumë trupa pranë kufijve të Rusisë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne