Drejtues të Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion bashkë me përfaqësues nga Drejtoria Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm (DNA) të Republikës së Italisë kanë zhvilluar ditën e sotme një takim online që zgjatur për rreth tre orë . Lajmi është njoftuar nga faqja zyrtare e SPAK.
Në njoftim thuhet se është vendosur që të vazhdojë shkëmbimi i informacioneve dhe provave për të ndjekur rastet e luftës kundër krimit në të dy shtetet. Si prioritet do të shikohet jo vetëm dënimi i personave që kryejnë këto vepra penale me rrezikshmëri të lartë, por dhe evidentimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve që janë krijuar me të ardhurat e aktivitetit kriminal.
“Me datë 11 Nëntor 2020 u zhvillua një takim i përbashkët pune ndërmjet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm (DNA) të Republikës së Italisë, me objekt : “Shkëmbimi i përvojave dhe praktikat më të mira mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin.”
Takimi u drejtua nga Kryeprokurori i DNA, zoti Federico Cafiero de Raho dhe Drejtuesi SPAK, zoti Arben Kraja. Të pranishëm ishin prokurorë Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Drejtues dhe prokurorë të Drejtorive Rajonale Antimafia dhe Antiterrorizëm në Itali, si dhe prokurorë të SPAK, të cilët kanë në ndjekje procedime penale të përbashkëta ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Në takim mori pjesë dhe Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në takim u diskutua mbi eksperiencat më të mira dhe problematikat e konstatuara gjatë këtij viti në marëdhëniet ndërmjet dy strukturave (DNA dhe SPAK). Nga të gjithë pjesëmarrësit u konfirmua se pas nënshkrimit të “Memorandumit të Mirëkuptimit”, ndërmjet DNA dhe SPAK (nënshkruar në Romë me 7 Shkur 2020) ka patur rritje të ndjeshme të bashkëpunimit, janë krijuar disa skuadra të përbashkëta hetimore (JIU) nën drejtimin e EUROJUST, si dhe është rritur shumë shkëmbimi i informacioneve dhe provave në kohë reale, duke kontribuar në rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale në rastet e luftës kundër krimit të organizuar transnacional, në Itali dhe në Shqipëri.
Në përfundim u konkludua se kjo përvojë e deritanishme duhet të vazhdojë, të shtohen kontaktet dhe shkëmbimi informacionit si dhe rastet e hetimeve të përbashkëta, duke vlerësuar si prioritet jo vetëm dënimin e personave që kryejnë këto vepra penale me rrezikshmëri të lartë, por dhe evidentimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve që janë krijuar me të ardhurat e aktivitetit kriminal.
Takimi i përbashkët ishte planifikuar të zhvillohej në Romë, por për arsye të situatës të krijuar nga pandemia Codiv – 19, u zhvillua online, në një platformë të çertifikuar dhe të sigurtë dhe zgjati 3 orë”, thuhet në njoftim./tpz