SPAK kërkon konfiskimin e 3.4 milion eurove të çështjes “Toyota Yaris”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi u tërhoq nga akuzat për pastrim parash duke pranuar alibinë e të akuzuarve, ka rikthyer në vemendje dosjen e parave që u futën në Shqipëri përmes makinave të përdorura “Toyota Auris”  duke kërkuar konfiskimin e parave dhe pronave të të akuzuarve.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar gjykatës të konfirskojë, 3.4 milion euro, 80 mijë franga dhe rreth 400 metra katrorë tokë në Tiranë dhe 1000 metra në Gjirin e Lalzit.

Paratë u kapën në qershor 2018 në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja e “Toyota Auris”, ndërsa pronat duket se u përkasin të akuzuarve në këtë dosje edhe pse në njoftin e SPAK nuk bëhet me dije në emër të kujt prej tyre janë.

“Në përfundim të verifikimeve pasurore, bazuar në parashikimet e nenit 21 e vijues të ligjit Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ndryshuar me ligjin nr.70/2017), Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për konfiskimin e pasurive ndaj të hetuarve të mësipërm”, thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë verifikimet i përkasin procedimit “pasuror Nr.1 të vitit 2019, në ngarkim të shtetasve Klevi Cani, Edi Lika, Alban Mollaymeri, Elvis Vladi dhe Alfred Vladi”.

Kërkesa për konfiskim vjen pas dështimit të hetimeve të prokurorisë për të provuar se trafiku i parave përmes makinave të përdorura ishte pjesë e një skeme të pastrimit të parave. Një investigim i BIRN i publikuar në maj të këtij viti gjeti se si prokuroria dhe më pas gjykata pranuan si provë alibinë e të akuzuarve.

Dokumentet gjyqësore treguan se prokuroria nuk e verifikoi alibinë, ndërsa gjykata bëri një sy qorr ndaj hetimeve të mangëta, duke legjitimuar kërkesën e avokatëve mbrojtës për kualifikimin e veprës penale.

E pyetur atëherë për dështimin e hetimit, Prokuroria u përgjigj se ndryshimi i akuzave ishte diktuar nga vendimi i gjykatës. Në të kundërt, gjyqtari Fran Prendi fajësoi në vendim Prokurorinë për hetime të paplota dhe mungesë provash ndaj të pandehurve.

Skenari, sipas të cilit një biznesmen gjerman me të dhëna të dyshimta biznesi ishte pronar i parave që u trasferuan kontrabandë në Shqipëri, u pranua si mirëqenë nga prokuroria dhe gjykata dhe zhvlerësoi akuzat ndaj të pandehurve, që akuzuan në fund vetëm për mosdeklarim të parave në doganë.

Në funksion të këtij versioni, i akuzuari kryesor i çështjes, Elvis Vladi pranoi se kishte kryer shkelje që nuk i deklaroi paratë në kufi, ndërsa shkarkoi nga përgjegjësitë pesë të pandehurit e tjerë të çështjes.

Çështja mori rëndësi publike në Shqipëri, pasi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e denoncoi mbërritjen e parave disa ditë para se ato të sekuestroheshin në Durrës. Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Yaris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”. Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës. Denoncimi i Bashës i dha dosjes emrin “Toyota Yaris”, ndonëse makinat e dorës së dytë i përkisnin markës “Toyota Auris”.

Të kontaktuar nga BIRN mbi urdhërin e konfiskimit mbrojtësit e të pandehurve Elvis dhe Alfred Vladi, thanë se do të flisnin më vonë rreth kërkesës së prokurorisë.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne