Si vendosi Edi Rama për emërimin e dy ministrave të rinj, Çuçi dhe Ikonomi

Edi Rama e ka ruajtur traditën surprizuese dhe vanitoze, që ministrat e emëruar prej tij ta marrin vesh lajmin nga ekrani. Kështu ka ndodhur edhe sot, kur ka publikuar lajmin për emërimin e Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm dhe Milva Ikonomit si Ministre e Bujqësisë. Kur kryeministri shpalli lajmin për emërimin e atyre që i quajti si “dy bashkëpunëtorë të përkushtuar në çdo detyrë që kanë kryer këto vite, me integritet, profesionalizëm dhe kulturë qytetare e politike të padyshimtë”, të dy të interesuarit nuk dinin asgjë.

Së paku. një dëshmi që ka arritur të sigurojë Lapsi.al nga burime diplomatike e vërteton këtë. Sot, ai që pas disa çastesh do të zinte një nga vendet më kryesore në Qeveri, Bledi Çuçi, ndodhej në Lushnjë së bashku me ambasadorin e Bashkimit Europian, Soreca në një tubim kushtuar bujqësisë dhe zhvillimit rural të quajtur “Evropa është këtu”. Pikërisht gjatë kohës kur zhvillohej ky aktivitet, kryeministri bëri publik dy emrat e rinj. Me stil dhe duke e përgëzuar, Luigi Soreca iu afrua Çuçit për ta përgëzuar për këtë ngritje në detyrë. Por të pranishmit panë se ai mbeti i hutuar, kujtoi për një moment se mos ishte një shaka dhe në fund nxori nga goja frazën: “Po kjo ça ishte tani”. Pra, ishte e qartë si drita e dellit, se jo që ai nuk ishte konsultuar, por as i kishte shkuar në mendje se mund të ishte kandidat për pasardhës i Lleshit.

Lapsi.al nuk ka arritur të sigurojë dot deri më tani një dëshmi nëse Milva Ikonomi është njoftuar paraprakisht apo jo, por deri sa kjo nuk ka ndodhur për postin e rëndësishëm të Ministrit të Brendshëm, logjika ta do se efekti surprizë ka qenë i njëjtë edhe për Ikonomin. Aq më tepër që Ministrja e re e Bujqësisë që pritet të dekretohet nga presidenti Meta ka pranuar edhe më parë të bëje pjesë në skuadrat ministrore të Ramës dhe ajo është e njohur se nuk ia bën fjalën kurrë dysh liderit, me të cilin ka një marrëdhënie të vjetër që nga periudha e fondacionit Soros.

Edhe kur e emëroi Çuçin si ministër Bujqësie në kuadrin e ndryshimeve të mëdha të dhjetorit 2018, ai nuk e kishte njoftuar paraprakisht as atë vetë, as 7 nga 12 ministat e rinj që vendosi të ndryshojë. “Nuk e dija as unë as persona të tjerë besoj. Mund të quhet një diskrecion i kryeministrit pasi është konsultuar me shumë, emrat i vendosi Rama. Kur ju më telefonuat unë isha në makinë duke shkuar në Asamble nuk e kisha këtë dijeni” tregoi Spiropali, pasi u caktua ministre shteti. Edhe Sonila Qato më parë kishte pohuar se ajo e pati marrë vesh nga TV emërimin e saj. As ky ndryshim i ri nuk ka bërë përjashtim.

Kjo është shenjë e qartë se Rama ka zgjedhur sërish mes besnikëve të tij më të devotshëm, gjë që tregon edhe për mënyrën se si ministrat e rinj do të sillen në detyrat që sapo kanë marrë

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne