Spanja ekstradon në SHBA ish-shefin e inteligjencës ushtarake të Venezuelës

Spanja ekstradoi në SHBA ish-shefin e inteligjencës ushtarake të Venezuelës, Hugo Armando Carvajal Barrios, i cili u kap në Madrid në shtator të vitit 2021, transmeton Anadolu.

Ish-gjenerali venezuelian, i njohur me pseudonimin “El Pollo”, u ekstradua në SHBA pas një procesi të gjatë gjyqësor që përfundoi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Në informacionin e dhënë për mediat nga burimet e Gjykatës Kombëtare spanjolle, raportohet se avioni që transportonte Carvajal ishte nisur për në SHBA. Theksohet se Carvajal, për të cilin thuhet se ka vonuar ekstradimin në SHBA dy vitet e fundit përmes avokatëve të tij, është dërguar në SHBA përmes Interpolit, pasi janë hedhur poshtë të gjitha akuzat që ai ka paraqitur në procesin gjyqësor

Carvajal, i cili është në listën e më të kërkuarve të SHBA-së me akuzën e trafikut të drogës, u largua nga Venezuela me një pasaportë false në shkurt 2019 dhe u arrestua në aeroportin e Madridit në prill të të njëjtit vit. Carvajal, i cili u lirua me kusht nga Gjykata Kombëtare spanjolle pasi qëndroi në burg për disa muaj, jetoi si i arratisur në Spanjë për rreth 2 vjet, pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë.

Ish-shefi i inteligjencës ushtarake të Venezuelës në vitet e para të ish-presidentit Hugo Chavez dhe presidentit aktual Nicolas Maduro, akuzohet për prodhim droge, trafik droge dhe pastrim parash në SHBA në bashkëpunim me Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC)./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne