Spiunja e Bejrutit: Shula Kohen

Historia e Shula Kohen, e njohur si Perla.

Kur Shula Kohen u arrestua për spiunazh në vitin 1961, qytetarët e Bejrutit u tronditën. Si mundet që një grua e tillë, elegante, e një stili dhe shoqërie të lartë të jetë një spiune e Izraelit?

Shulam ose “Shula” Kohen u lind nga prindër hebrenj në Argjentinë dhe u rrit në Izrael. Në moshën 16 vjeç, ajo martohet me një biznesmen hebre të pasur nga Libani, Josef Kishik, dhe u zhvendos me të në Bejrut.

Nuk është e qartë se si Kohen, e quajtur ndryshe me emrin e koduar Perla, u bë spiune për agjencinë hebraike dhe më vonë për shërbimin e inteligjencës izraelite, Mossad, i formuar në dhjetor 1949.

Një mendim është se ajo gjithmonë kishte dashur të përfshihej në ngritjen dhe ndërtimin e Izraelit. Një tjetër teori thotë se ajo ishte rekrutuar në Jeruzalem dhe martesa e saj me Kishik ishte vetëm një “fasadë”.

Sido që të jetë, Kohen la një vend të shquar në nivelet më të larta të shoqërisë së Bejrutit ku në sallonet e saj ajo argëtonte dhe kultivonte politikanët, biznesmenët me ndikim dhe zyrtarët e lartë të ushtrisë.

Ajo i përdori pritjet, kafenetë e saj, kazinotë dhe dyqanin e burrit të saj në Bejrut për të pasur kontakte që do t’i mundësonin asaj shërbime ndaj shërbimit sekret Izraelit si dhe ngritjen e një rrjeti spiunazhi.

“Shula Kohen e ngriti këtë rrjet jo vetëm për të mbledhur informacione, por edhe për të kontrabanduar cifutët në drejtim të jugut”, thotë shkrimtari Sakr Ebu Fakhr.

Kohen ishte pjesë e një operacioni të madh të quajtur “Aliya Bet” që sillte hebrenj nga vendet arabe përmes Libanit në Palestinë. Arabët ishin kundër vendbanimeve cifute në Palestinë, kështu që tranziti i tyre duhej të ishte i fshehtë. Emigrimi i hebrenjve nga vendet arabe për në Izrael mbeti cështje shumë e diskutuar pas vitit 1948, dhe kështu kontrabanda vazhdoi për shumë vite.

“Suksesi i madh i saj nuk ishte vetëm informacioni që ajo dha por edhe qëndrimi i saj në Bejrut. Kur persona të ndryshëm dhe ushtarakë hebrenj do të shkonin të takonin kryeministrin Ben Gorion, me krenari do i thonin: Ne kemi spiunë mu në zemër të Libanit,” thotë Ronni Shaked, një gazetar i gazetës izraelite Yedioth Aharonoth.

“Hebrenjtë janë rritur me mendimin se një spiun i Mosadit është me të vërtetë nje superhero, i aftë për të bërë gjithçka, kudo dhe sido që të jetë puna. Kjo ide i është ngulitur çdo cifuti nga mosha tre deri në 80 vjeç. Spiuni për ata është një supermen.” thotë gazetari Nasser Laham.

Thashethemet filluan të qarkullonin për sallonet e Kohenit dhe klientelës së tyre rreth pazareve të seksit.

Shërbimi i inteligjencës Libaneze, byroja Le Deuxieme, e ngritur nga presidenti Fuat Chehab kërkoi që të vëzhgohej veprimtaria e Kohenit.

“Ne e konsideruam një sfidë më vete zbulimin e fshehtësive që mbante ajo grua, kush ishte puna e saj dhe për kë po punonte”, tregon gjeneral major Sami el-Katib.

“Ne morëm me qira një hyrje mbi shtëpinë e Shula Kohenit në të njëjtën ndërtesë, gjithashtu morëm me qira një apartament të dytë përballë shtëpisë së saj. Filluam të përgjonim përmes mjeteve të përgjimit të vendosura në dysheme, në mure dhe tavane, të lidhura me satelitët. Regjistronim zërat dhe i dërgonim në dhomën e kontrollit. Në secilën hyrje punohej 24 orë. ”

Pas dy muajsh mbikëqyrjeje, Byroja Deuxieme vendosi se i kishte të gjitha informatat që i duheshin për Kohenin. Në datën 9 gusht 1961, u planifikua një bastisje.

Arrestimi i Shula Kohen në Bejrut ishte një tronditje. Ajo ishte një spiune që në sallonet e saj priste figura të rangjeve të larta. Ishte një tronditje për opinionin publik libanez pasi që edhe në Liban paskësh qenë e mundur të infiltrohej spiunazhi izraelit”, thotë Sakr Ebu Fakr.

Gjykimi ndaj Kohenit filloi në 27 tetor 1961, dhe pati një tërheqje të madhe të vëmendjes së medias. Interesante është se gjatë gjykimit nuk doli asgjë lidhur me ata shumë libanezë dhe politikanë arabë që ishin kapur në rrjetin e saj.

Më 25 korrik 1962, Kohen u dënua me vdekje. Por për shkak të presionit ndërkombëtar, përfshirë atë Izraelit, dënimi i saj u ndryshua në 20 vjet burg.

Kohen kreu vetëm gjashtë vjet burg nga dënimi i saj në Bejrut.

Izraeli, gjatë luftës së dytë arabo-izraelite të vitit 1967 shkëmbeu një numër të madh të burgosurish arabë, dhe Kohen në verën e vitit 1967, midis gjithë atyre të burgosurve u shkëmbye për një numër ushtarësh sirianë, libanezë dhe egjiptianë.

Shula Kohen vdiq në Jerusalem në 21 maj 2017, në moshën 100 vjeçare.

Në vitin 2017, autoritetet libaneze deklaruan se kishin bërë shumë arrestime në lidhje me dhënien e informacioneve tek Mosadi. Shula Kohen ka vdekur, por trashëgimia e saj jeton./ Gazeta Impakt

burimi: aljazeera

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne