Bota

Stamboll, ekuipazhi i anijes së fundosur kthehet në Rusi

Ekuipazhi i luftanijes ruse që u fundos pas përplasjes së djeshme me një anije civile transportuese në ujërat e Bosforit në Stamboll, është kthyer në Rusi, ndërkohë që janë publikuar edhe pamjet që kamera ka regjistruar gjatë shpëtimit.

Luftanija ruse u përplas me një anije civile transportuese që po lundronte me flamurin e Togos. Anija transportuese me gjatësi prej 81 metrash po transportonte kafshë të gjalla, dhe për shkak të ngarkesave të ndjeshme është kthyer në Rumani.

Pas thirrjes për ndihmë, autoritetet turke dje në vendin e aksidentit dërguan varka për shpëtim dhe tërheqje.

Pas intervenimit, u shpëtuan të gjithë 78 anëtarët e ekuipazhit nga anija ruse e cila më pas u fundos. Në mesin e marinarëve rusë nuk kishte të plagosur rëndë.

Ndërkaq, kryeministri i Turqisë Binali Yıldırım mbrëmë ka zhvilluar bisedë me kryeministrin rus Dimitri Medvedev.

Nga Zyra e kryeministrit turk është bërë e ditur se Yıldırım ka shprehur keqardhje për aksidentin në të cilin luftanija ruse u fundos pas përplasjes me anijen civile në ujërat e Bosforit në Stamboll.

Medvedev, nga ana tjetër, ka shprehur mirënjohjen e tij për Turqinë, autoritetet e së cilës kanë ndihmuar për shpëtimin e të gjithë 78 anëtarëve të ekuipazhit nga luftanija ruse./ AA

OPINIONE

INTERVISTA