Statuse kundër SHBA për vrasjen e gjeneralit iranian, arrestohet kosovarja

Policia e Kosovës ka arrestuar, Ikballe Berisha-Hudutin, themeluese e një fondacioni fetar, e cila ishte pozicionuar kundër vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, gjatë një sulmi me dron nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ikballe Berisha-Huduti, përmes një serie postimesh në llogarinë e saj në Facebook, kishte shprehur pikëpamjet personale lidhur me vrasjen e Soleimanit, të cilin e kishte përshkruar si njeri madhështor dhe që nuk vdes kurrë.

Ajo kishte shpërndarë gjithashtu një artikull të BBC-së, ku shkruhej se hakmarrja për vrasjen e gjeneralit iranian pritet të ndodhë.

Policia në njoftimin zyrtar nuk jep detaje se për çfarë është ndaluar por thekson se do të mbahet për 48 orë, deri në një vendim tjetër nga Gjykata.

“Më datë 07.01.2020, Drejtoria Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë, ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës. E dyshuara është sjell për intervistim dhe me urdhër të prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 orë, deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se më 3 janar, Shtetet e Bashkuara vranë udhëheqësin e forcës Quds, Qasem Soleimani ndërsa Irani u zotua se do të hakmerret ashpër.

Sakaq, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës shfaqen mbështetje për SHBA-në.

“E mbështes fuqishëm reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aktiviteteve të Iranit në Lindje të Mesme, të cilat kanë shkaktuar terror, pasiguri dhe shqetësime në mbarë botën. Ne qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave tona, mënyrës tonë të jetesës dhe në kërkim të paqës dhe sigurisë”, ka shkruar më herët në rrjetin social Twitter, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se “Veprimet e fundit vetëmbrojtëse ndaj Gjeneral Soleiman-it janë mbrojtje, jo vetëm për SHBA-në, por për lirinë dhe demokracinë gjithandej”./Opinion

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne