Stoku i strehimit social, Bashkia e Tiranës “mban peng” 83 mijë m2 apartamente

Bashkia e Tiranës ka përfituar rreth 83 326,1 m2 sipërfaqe ndërtimi, si pasojë e aplikimit të 3% të ligjit të strehimit social, por nuk i shfrytëzon. Ngërçi për vënien në funksion të strehimit të këtij fondi të madh të ndërtimit vjen si pasojë e mosllogaritjes së qirasë nga Enti Kombëtar i Banesave.

“Aktualisht kemi kërkuar bashkëpunimin e Entit Kombëtar të Banesave për përllogaritjen e qirasë sociale me qëllim vënien e këtyre banesave në funksion të programeve të strehimit social”, – shprehet Bashkia Tiranë.

367 leje ndërtimi me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2000 m2 janë dhënë nga bashkia Tiranë prej vitit 2019 deri në mars të 2024-ës.

Sipas ligjit “Për Strehimin Social”, ndërtuesit janë të detyruar të japin 3% të sipërfaqes ndërtimore mbi 2000 m2 për fondin e strehimit social.

Edhe pse u tha që sipërfaqja ndërtimore për fondin e strehimit social do të jepej në vendin ku ndërtohej, me një vendim të muajit maj, Këshilli i Ministrave vendosi që si këtë sipërfaqe ndërtuesit mund ta japin edhe në vendndodhje të tjera.Sipas të dhënave nga bashkia Tiranë të përftuara përmes një kërkese për informacion, sipërfaqja e ndërtimit në më shumë se katër vitet e fundit si kontribut për fondin e banesave sociale të bashkisë Tiranë përllogaritet në 83 326,1 m2. Mirëpo, bashkia Tiranë nuk përcakton vendndodhjen e këtyre m2 sipërfaqe.

Stoku i strehimit social, Bashkia e Tiranës "mban peng" 83

Këto të dhëna, janë pas hyrjes së fuqi të ndryshimeve ligjore në ligjin për “Strehimin social” dhe vendimit të këshillit bashkiak nr.105 të datës 25.10.2019,

Në shtatë vitet e fundit – pa përfshirë 2024, bashkia Tiranë ka dhënë më shumë se 8133 leje të reja ndërtimi dhe ky sektor mban tashmë peshën kryesore të të ardhura në buxhetin e kryeqytetit, si rrjedhojë e vjeljes së taksës së ndikimit në infrastrukturë e vendosur për ndërtimet e reja.

Ligji “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon në nenin 19 se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.

Pavarësisht kundërshtimit nga Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës vendosi ta modifikojë mënyrën e vjeljes së sipërfaqes me anë të një  Vendimi të Këshillit Bashkiak, që i jep të drejtë ndërtuesve ta konvertojnë sipërfaqen e ndërtimit në vlerë monetare.

Në maj të vitit 2022, Ministria e Financave çeli për konsultim një sërë ndryshimesh në ligjin e vitit 2018, mes të cilave edhe nenin 19 i cili ndryshon sasinë e metrave që ndërtuesit duhet t’i japin fondit të banesave sociale. Kjo pas ankesave nga Shoqata e Ndërtuese.

Nëse më parë ndërtuesit ishin të detyruar t’i jepnin fondit të strehimit 3% të sipërfaqes për çdo objekt të ndërtuar mbi 2000m2, me ndryshimet e ligjit ata duhet të heqin dorë vetëm nga 3% e sipërfaqes ndërtimore mbi 2000m2.

Shembull: Nëse më parë një objekt prej 2,500 m2 duhet t’i jepte fondit të strehimit 75 m2 ndërtim, ndryshimi i ligjit e detyron të japë sipërfaqe vetëm për 500 metrat mbi 2000m2, që përkthehet në vetëm 15 metra katrorë. /Citizens

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne