Stoltenberg: NATO solidarizohet me Turqinë kundër kërcënimit terrorist

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior solidarizohet me Turqinë kundër kërcënimit terrorist.

Në një intervistë për agjencinë zyrtare turke të lajmeve, Anadolu Agency (AA), Stoltenberg falënderoi Turqinë duke nënvizuar se ky vend, si aleat i NATO-s, ka dhënë kontribute në mënyra të ndryshme për sigurinë kolektive dhe organizimet dhe misionet e Aleancës.

Duke folur për operacionin “Dega e ullirit” në Afrin të Sirisë, Stoltenberg tha se “Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë e saj” duke shtuar se “NATO-ja pret që Turqia këto shqetësime t’i trajtojë në mënyrë të matur dhe proporcionale”.

Stoltenberg po ashtu tërhoqi vëmendjen se NATO-ja i ka ofruar mbështetje Turqisë.

“Në këtë aspekt, ne i ofrojmë Turqisë disa masa garantuese. Në Turqi kemi prani ushtarake, avionët për paralajmërim të hershëm dhe vëzhgim (AWACS), që ofrojnë mbështetje duke fluturuar mbi hapësirën ajrore turke dhe në të njëjtën kohë ne kemi vendosur bateri për mbrojtje ajrore”, theksoi Stoltenberg.

“Ne falënderojmë Turqinë për ndihmën e ofruar NATO-s. Me praninë tonë ushtarake, e cila viteve të fundit është rritur në këtë vend, ne tregojmë se jemi në solidaritet me Turqinë kundër destabilitetit që vjen nga jugu dhe kërcënimit të terrorizmit”, shtoi ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne