Studentet rrëfejnë orët e ngujimit në fakultet dhe sherrin me efektivët privat

Dy prej studentëve që kanë kaluar natën në ambientet e Fakultetit Juridik treguan se herë pas here janë përballur me përplasje fizike me disa efektiv privat të security.

“Gjatë orëve të natës kemi patur përplasje me disa efektiv të security.

Në momentet që ata tentonin të hiqnin karriget, besoj se jo me qëllim na kanë dëmtuar edhe fizikisht. Kemi dërguar imazhet filmike në organet përkatëse. Ajo që na shqetëson më tepër është se nga kush e mori urdhrin security sepse policia nuk ka ndërhyrë farë pavarësisht se ka qenë prezente gjatë gjithë kohës,” – u shpreh njëra prej studenteve.

Studentja tregoi se nga momenti i përplasjes me rojet private gjatë kohës që po hiqnin karriget dhe tavolinat ndërkohë që studentët kundërshtonin, ajo nga përplasja ishte goditur në këmbë për pasojë ka marrë edhe fraktura të lehta.

Studentja tjetër u shpreh se në një grup përmes të cilit komunikojnë në Whatsapp iu ka mbërritur një mesazh me të cilin njoftohen se është planifikuar një takim me disa anëtarë të qeverisë.

“Në një grup në Whatsapp me të cilin studentët komunikojnë me njëri-tjetrin na ka mbërritur një mesazh ku njoftohen studentët se është planifikuar një takim me disa anëtarë të qeverisë, por ne do ta diskutojmë këtë që të arrijmë në mbajtjen e një qëndrimi nëse do të marrim pjesë në këtë takim apo jo.

Ky ndoshta është një takim për të thyer bojkotin dhe për të bërë një tjetër monolog me kryeministrin për të cilin unë personalisht nuk jam dakord. Por mbetet për tu parë si do të ecet në vijim,” – u shpreh studentja tjetër e cila edhe ajo ka kaluar natën brenda Fakultetit të Juridikut.

Ajo shtoi gjithashtu: “Brenda janë rreth 150 studentë, erdhën në mëngjes shumë të tjerë por policia nuk i lejoji të hynin brenda. Kemi vendosur të qëndrojmë të gjithë së bashku për të dhënë mesazhin tonë se nuk tërhiqemi deri në fund”./Fax web

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne