Sulm i tmerrshëm ndaj një gruaje muslimane shtatzënë në Australi

Një grua muslimane shtatzënë në qytetin e Sidnejit në Australi është sulmuar brutalisht nga një mashkull teksa ishte e ulur me shoqet e saj në një kafene.

Rana Elasmar, muslimane 31-vjeçare me shami në kokë, është sulmuar me grushta dhe shqelma nga Stipe Lozina, i cili është afruar në tavolinën ku ajo po qëndronte me shoqet e saj të cilat po ashtu mbanin mbulesë, tha Policia e New South Wales.

Elasmar, e cila ka rënë në tokë pas goditjeve të forta, shpëtoi nga duart e agresorit 43-vjeçar me ndihmën e shoqeve dhe të pranishmive në kafene.

Sulmi, i cili ka ndodhur të mërkurën në orët e mbrëmjes, nxiti reagime të mëdha pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.

Sulmi është cilësuar si “racist” në vend, ndërsa u raportua se Lozina ka thënë fjalë kundër Islamit.

Organizatat islame ombrellë në Australi, Federata e Këshillave Islamë të Australisë (AFIC) dhe Këshilli Kombëtar i Imamëve të Australisë (ANIC) e kanë dënuar këtë akt, duke e cilësuar atë si racist dhe antimusliman.

Organizatat islame dënuan sulmin

“Është e tmerrshme të sulmohet një grua shtatzënë teksa rri me shoqet. Sulmuesi duhet ta ndiej në të gjitha mënyrat forcën e gjyqësorit. Ky është një sulm i qartë racist dhe antimusliman dhe presim të cilësohet si i tillë”, tha për AA Ratep Jneid, kryetar i AFIC.

“Me sulmin e mbrëmshëm, ne pamë në mënyrën më të keqe se islamofobia është e vërtetë dhe paraqet kërcënim për shoqërinë. Ne si AFIC, i bëjmë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë në të gjitha nivelet që t’i qasen çështjes me seriozitet para se të ndodhë ndonjë tragjedi”, shtoi Jneid.

Agresori në paraburgim

Nga ana tjetër sulmuesi është paraqitur në Gjykatën Lokale në Parramatta, e cila ia ka mohuar kërkesën për lirim me kusht dhe ka vendosur që ai të mbahet në paraburgim.

Gjykatësi Tim Keady tha se agresori ka dosje të fryrë të krimeve.

“Pas dhatë koment për muslimanët, ju iu afruat (viktimës) dhe e goditët 14 herë në kokë. Këtë do ta trajtoj si rast të fuqishëm kundër jush”, tha Keady.

Elasmar, shtatzënë në javën e 38-të, është liruar nga spitali pas kontrolleve, ndërsa nuk janë dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të saj dhe foshjës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne