Sulmet ajrore të SHBA-së kanë vrarë 224 civilë në Raka të Sirisë në një muaj

Të paktën 224 civilë kanë humbur jetën gjatë muajit të kaluar në sulmet ajrore të kryera nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja, që supozohet se po lufton terroristët e Daeshit në qytetin sirian të Rakas, thotë një observator i bazuar në Londër.

I ashtuquajturi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha të enjten se numri i të vdekurve mbulonte periudhën që nga 6 qershori kur në Raka hynë të ashtuquajturat Forca Demokratike Siriane (SDF), një grup i mbështetur nga SHBA.

“Të paktën 224 civilë, duke përfshirë 38 fëmijë dhe 28 gra, janë vrarë në sulmet ajrore nga koalicioni global në Raka që kur SDF hyri në të,” tha ai.

Observatori vuri në dukje më tej se përleshjet dhe sulmet ajrore në Raka kishin vrarë 311 elementë të Daeshit dhe 106 anëtarë të SDF-së që nga 6 qershori.

SHBA dhe aleatët e saj po bombardojnë ato që ata i quajnë pozicionet e Daeshit në Siri që nga shtatori i vitit 2014, pa asnjë autorizim nga qeveria e Damaskut apo ndonjë mandat të OKB-së.

Daesh kapi Rakan në korrik të vitit 2014 dhe e shpalli qytetin fortesën e tij në Siri.

Luftimi po kryhet për të rimarrë Rakan nga militantët, ndërsa dhjetëra mijëra civilë besohet të jenë të bllokuar brenda qytetit. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne