Superfuqia e botës triumfoi në betejën e parë të luftës që iu shpalli adoleshentëve shqiptarë

nga Kastriot Myftaraj
11 dhjetori do të mbetet një ditë historike në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në këtë ditë, superfuqia e botës, SHBA, ose më saktë burokracia e Departamentit të Shtetit që përcakton politikën e jashtme amerikane, iu shpalli luftë adoleshentëve shqiptarë. Këtë kuptim kishte deklarata e Ambasadës Amerikane, e shpërndarë në këtë ditë, mbi protestat që pasuan vrasjen shtetërore të të riut të pafajshëm Klodian Rasha në Tiranë. Krejt ashtu si në Vietnam, SHBA hyri në këtë luftë në Shqipëri, për shkak se regjimi policoro-ushtarak që mbështeste superfuqia ishte duke e humbur luftën, në rastin e Shqipërisë me adoleshentët protestues. Edi Rama rrezikonte të bëhej i pari kryeministër në botë që do të rrëzohej nga adoleshentët.
Me deklaratën e 11 dhjetorit, SHBA pohoi mbështetjen për Edi Ramën që ai ta sundojë Shqipërinë me një regjim policoro-ushtarak, duke iu shpallur kështu superfuqia luftë adoleshentëve protestues. Me arsyetimin e stabilitetit të vendit.
Edi Rama u kurajua që të përdorë dhunë policore të skajshme për shtypjen e protestave në qytete të ndryshme të vendit. Katër ditë më pas, në 15 dhjetor, në selinë e Kryeministrisë, Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u hapën shishet me shampanjë dhe u mbushën gotat për të festuar fitoren në betejën kundër adoleshentëve protestues. Krejt ashtu siç ndodhi në mars 1989 në Beograd, kur Milosheviçi shtypte me dhunë policoro-ushtarake protestat e shqiptarëve në Kosovë.
Por superfuqia e botës dhe kryeministri-klient i saj fituan një betejë, por shkaktuan një luftë të gjatë. Rama do të ikë dikur, por kjo luftë do të vazhdojë edhe pas tij. Burokracia e pandreqshme e Departamentit të Shtetit nuk do që të nxjerrë mësime nga historia, e cila tregon se mbështetja amerikane për regjimet policoro-ushtarake në botë krijon stabilitet afatshkurtër dhe antiamerikanizëm afatgjatë. Regjimet policoro-ushtarake thellojnë polarizimin e ekonomik të shoqërisë, sepse duhet të kënaqin grupin me anë të të të cilit sundojnë dhe që përbën bazën e tyre të fuqisë.
Adoleshentët shqiptarë protestues janë veteranë të luftrave kundër diktaturave në videogames, që janë përplot me skenare me temë të tillë, me ngjarje që zhvillohen në botën tonë dhe planetët e galaksitë e tjera. Tashmë për ta SHBA është e njëjtë si fuqitë e këqija të skenareve të videogames. Historia ka treguar se mbështetja e amerikane për regjimet policoro-ushtarake në vende të ndryshme të botës ka sjellë luftëra civile, ku është derdhur edhe gjak amerikan.
Vietnami i viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar ishte një realitet lufte civile ku ndërhyri SHBA duke marrë pasojat e këtij veprimi mendjelehtë. Të vetmet ndërhyrje amerikane që kanë pasur mbarëvajtje janë ato për çlirimin e popujve të shtypur. Ndërhyrjet amerikane për të ndihmuar shtypësit e popujve të botës kanë dështuar në pikëpamje afatgjatë, duke i lënë SHBA si pasojë të padëshiruar antiamerikanizmin e dhunshëm. Në Shqipëri do të rriten gjenerata antiamerikane nga këta adoleshentë të dhunuar. Dhe ata janë shumë më tepër se ata që dolën për të protestuar. Protestuesit janë vetëm pjesa më e guximshme e tyre, që guxuan të përballen me dhunën e skajshme policore.
SHBA nesër mund të sjellë edhe marinsat në Shqipëri, por në çdo rast, kjo do të jetë një histori dështimi katastrofal sepse bota e tërë do të tallet dhe reputacioni i superfuqisë do të dëmtohet përfundimisht.
Në Washington të jenë të sigurt se 11 dhjetori është një “Pearl Harbor” i kthyer përmbys, ku “japonezët” janë amerikanët dhe “amerikanët” janë shqiptarët. Deklarata e 11 dhjetorit e Ambasadës Amerikane është si Rezoluta e Tonkinit në Luftën e Vietnamit, por pasoja e padëshiruar mund të jetë “Ofensiva Tet” dhe skenat e Saigonit të vitit 1975 me evakuimin me helikopterë nga ambasada amerikane.
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të minohen përjetësisht nëse ato konceptohen në vazhdim si marrëdhëniet e superfuqisë me një regjim policoro-ushtarak klientelist.
Në 1944-1946 Shqipëria kishte vetëm një milion banorë kur u vendos një regjim komunist që sfidoi SHBA. Do të ishte një gjë shumë e padëshiruar që të ndodhë përsëri diçka e ngjashme në thelb, ndonëse jo me të njëjtën ngjyrë politike. Dhe e keqja është se burokracia e Departamentit të Shtetit fle gjumë të rëndë para shenjave të ngjarjeve të tilla, dhe zgjohet veç kur nisin krismat dhe bombat.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne