Në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet takimi i nivelit të lartë Kosovë-Serbi, me pjesëmarrjen e kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Vuçiq. Por se për çfarë negociohet në Uashington mbetet e paqartë, shkruan Thomay Brey.
SHBA po bën presion. Politikanët kryesorë të të dyja vendeve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë janë ftuar në Uashington. Ata duhet të arrijnë një zgjidhje për këtë vatër të vazhdueshme të krizës. Kalkulimi amerikan është i qartë: Pasi presidentit amerikan u përball me disa dështime në politikën e jashtme, dëshiron tani të shkëlqejë edhe një herë në politikën e jashtme para zgjedhjeve presideciale, që ai shpreson t’i fitojë dhe të paraqesë një sukses historik.
Palët me qëndrime diametralisht të kundërta
Mbetet e paqartë, se çfarë do të negociohet në Uashington:
– Kreu i delegacionit të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti pret njohjen reciproke. Por askush nuk e beson, se Serbia do ta bëjë këtë hap, madje as partneri i koalicionit të Hotit, Ramush Haradinaj. Për këtë ka kërcënuar paraprakisht presidenti serb: Në rast të një kërkese për njohje të Kosovës, ai do të refuzojë takimin me presidentin amerikan.
– Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dëshiron të flasë si drejtues i negociatave vetëm për bashkëpunimin ekonomik të vendit të tij me fqinjen e padëshiruar, Kosovën. Këtu mund të përmendet tema aq e kontestuar mes dy vendeve, miniera e Trepçës apo pika strategjike e rëndësishme e Liqenit të Ujëmanit.
– Disa krerë politike serbë dhe ekspertë presin, që SHBA të propozojë një autonomi të zgjeruar të pakicës serbe në Veriun e Kosovës, sipas modelit të mëvetësimit pa kufi të serbëve në Bosnje-Hercegovinë. Si shpërblim për këtë Beogradi do të njohë Prishtinën.
Marrëveshje pa asnjë zbatim konkret
Por megjithëse të gjitha palët i ngritën lart marrëveshjet si “deal historik”, në zbatimin konkret të tyre nuk është bërë asnjë hap përpara, gati më shumë se një gjysmë viti më pas. Asnjë detaj në realizim nuk është bërë i njohur. Me këtë përvojë mund të kesh dyshimin, se tek raundi i ri i negociimit në Uashington më së shumti do të arrihet një marrëveshje që përmban më shumë dukje se sa ka thelb. Sepse as në Kosovë dhe as në Serbi nuk ka një shumicë që mbështet çfarëdolloj marrëveshjeje mes të dy vendeve.
Presidenti i Serbisë, megjithë fitoren e ndjeshme të zgjedhjeve të fundit parlamentare nuk e ka një shumicë dy të tretat pas vetes. Sepse opozita, që bojkoton parlamentin është më nacionaliste se vetë nacionalisti Vuçiq. Kurse në Kosovë qeveris kryeministri Hoti me shumicë vetëm të një deputeti. Edhe këtu as që bëhet fjalë për një shumicë parlamentare me dy të tretat në parlament, e cila do mund të ratifikonte një marrëveshje me Serbinë.
Dhe në fund: Politikanët kryesorë në Kosovë edhe në Serbi prej dekadash e kanë forcuar pozicionin e tyre të pushtetit me ndezjen rregullisht të konfliktit Kosovë-Serbi. Nuk të duket logjike, që ata ta lëshojnë nga dora këtë instrument të sigurimit të pushtetit të tyre përmes zgjidhjes së konfliktit./DW