Ç’ nyje e errët e së shkuarës lidh Edi Ramën me Carlo Bollinon

Nga Kastriot Myftaraj

Kryeministri Rama po i jep Carlo Bollinos shumë para publike, e thënë ndryshe para që duhet të shpenzohen në të mirë të popullit. Rama këto para po ia jep Bollinos drejtpërdrejt dhe tërthorazi. Siç u provua ditët e fundit, ka biznese që marrin tendera me para publike, me kushtin që deri dy të tretat e të ardhurave t’ ia japin Bollinos për… publicitet. Qëkurse Rama ka marrë pushtetin Bolino ka përfituar nga qeveria privilegje të ndryshme, deri duke krijuar biznese nga asgjëja, në sajë të pronës publike që është dhënë. Buncarti është një rast.
Edi Rama e ka ndihmuar Bollinon edhe që të dalë i pastër, së paku deri më sot, nga një histori e fshehjes së të ardhurave, në përmasa të mëdha, për të cilën po bëheshin hetime. Është fjala për sponsorin zyrtar të Bollinos, Guido Ottolenghi, pronarin e La Petrolifera në Vlorë, i cili kishte krijuar një skemë me Gjergj Bojaxhiun (“Everest Oil”), Rezart Taçin (ARMO) etj, për fshehjen e të ardhurave në përmasa të mëdha.
Nëse Rama merr mandatin e tretë qeverisës, Bollino me siguri që në 2025 do të bëjë pjesë te 1% e italianëve më të pasur. E pra, erdhi në Shqipëri në 1993 si një gazetar me pagë modeste.
Përse Rama e privilegjon kaq shumë Bollinon? Shërbimet në media që i bën Bollinoja me shqipen e tij humorndjellëse janë në shpërpjestim me përfitimet financiare të Bollinos nga privilegjet qeveritare.
Sigurisht që i lidh diçka tjetër. Një nyje e errët në të shkuarën. Dhe kjo enigmë ka të bëjë me bashkëfajësinë e tyre në operacionin për krijimin dhe përhapjen e lajmit të rremë të vjedhjes së orës së Presidentit Bush, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në qershor 2007.
Në atë kohë, George Soros, tutori politik i Edi Ramës, njëherësh edhe i deklaruar si armiku i madh i Presidentit Bush, i kërkoi Ramës që ishte në opozitë, që të bënte diçka për ta zhvlerësuar vizitën e Bushit në Shqipëri. Dhe kështu u arrit deri te lajmi i rremë i vjedhjes së orës së Presidentit amerikan, gjatë kohës që ky u takua me një grup qytetarësh në Fushë-Krujë. Gënjeshtra, ashtu siç pritej, bëri bujë në botë.
Rama e përzgjodhi Bollinon për këtë shërbim sepse mendonte që duke u dhënë lajmi nga një media në pronësi italiane, nuk mund të dyshohej se ishte një sajesë vendore e opozitës shqiptare, siç mund të mendohej nëse lajmi do të jepej nga një media shqiptare.
Përbaltja (term që Rama e pëlqen shumë kur akuzon kundërshtarët e tij se përhapin gënjeshtra për të dhe qeverisjen e tij) e së parës vizitë të një Presidenti amerikan në Shqipëri, është një nga ato gjëra që nuk do të harrohen sa kohë të ekzistojnë Shqipëria dhe SHBA. Zbulimi i rolit të Ramës në këtë histori, do të përbënte një skandal të tillë, të cilit Rama nuk do të mund t’ i mbijetonte dot.
Në këtë kuptim, një rrëfim i sinqertë i Bollinos, i cili vjen nga vendi i pentitove, rrëfim që mund të ketë shkaqe jo parimore, por pakënaqësi për privilegje të kërkuara dhe të padhëna nga pushteti, është dicka që Rama nuk mund ta lejojë të ndodhë. Në këtë kuptim, Rama është peng i Bollinos edhe sot e kësaj dite./Kastriot Myftaraj

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne