Shqiperia

TAP-i fillon shtrirjen e tubave në detin Adriatik mes Shqipërisë e Italisë

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) realizoi me sukses tërheqjen në breg të tubacionit të parë nënujor që shtrihet në Shqipëri.

Përmes një njoftimi për shtyp, TAP informoi sot se, “koka tërheqëse e tubacionit arriti në pikën kilometrike 0, ku bashkohet seksioni tokësor me atë detar, në orën 12:50 të datës 30 mars”.

Saipem, kontraktori i TAP përgjegjës për inxhinierinë, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin e seksionit detar, po përdor për këtë proces anijen Castoro 10. Tubat u salduan në bordin e anijes, e cila ndodhej 1,4 km nga bregu i detit. Saldimet më pas u testuan dhe tubacioni u ul në shtratin e detit. 1,8 kilometrat e para të tubacionit të salduar u tërhoqën drejt bregut, në pikën e daljes në det në afërsi të Fierit.

Anija Castoro 10, me gjatësi 139 metra dhe gjerësi 31 metra, po vazhdon në Shqipëri punimet për shtrirjen e tubacionin në ujërat e cekët dhe instalimin e fibrës optike. Gjithashtu po punohet për mbulimin e tubacionit në det dhe në breg.

Punimet për seksionin detar të TAP në Shqipëri filluan në tetor 2018.

Seksioni detar i TAP, që bashkon bregun shqiptar me atë italian, është i gjatë 105 km.

Tubat do të shtrihen në shtratin e detit Adriatik: 37 km në ujërat territoriale të Shqipërisë; 25 km në ujërat territoriale të Italisë; dhe 43 km në ujërat ndërkombëtare.

Pika më e thellë e gazsjellësit do të jetë më shumë se 810 metra nën nivelin e detit.

Për ndërtimin e seksionit detar do të përdoren rreth 9000 tuba, me diametër 36 inç (0,91 m), të cilët në total peshojnë afërsisht 100 mijë tonë.

 

OPINIONE