Tatimet: Numri i bizneseve të reja në bregdet u rrit me 58%

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar të dhënat më të fundit në lidhje me bizneset e reja të regjistruara në zonat turistike. Sipas të dhënave të Tatimeve, Saranda mban rekordin për numrin e bizneseve të reja të regjistruara. Në njoftim thuhet se Administrata Tatimore vazhdon të jetë e fokusuar me prioritet në zonat turistike, për të garantuar zhvillimin e konkurrencës së ndershme, rritjen e të ardhurave, si dhe reduktimin e shkallës së informalitetit, teksa sezoni veror është në kulmin e tij.

Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri i bizneseve të reja të regjistruara në zonat turistike për periudhën 1 qershor-13 gusht ishte 1,531 ose 58% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Shifrat u përkasin subjekteve të reja të regjistruara në Drejtorinë Tatimore Rajonale Durrës, Lezhë, Sarandë, Shkodër dhe Vlorë. DRT Sarandë, sipas të dhënave, shënoi rritjen me të lartë me rreth 44% të bizneseve të reja, të hapura gjatë periudhës së marrë në analizë, duke vijuar më pas me DRT Lezhë me rreth 33% dhe DRT Vlorë me rreth 24%. Administrata Tatimore do të vazhdojë t’u vijë në ndihmë tatimpaguesve, në respektimin e detyrimeve ligjore, si dhe duke u kujdesur për të siguruar transparencën e kërkuar nga turistët.

Burimi: Gazeta shqiptare

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne