Sociale

Të dhënat e trishta/ 76% e familjeve shqiptare thonë se nuk përmbushin nevojat për ushqim gjatë krizës së koronavirusit

Pasiguria ekonomike e familjeve po ndikon mirëqenien e fëmijëve në Shqipëri. Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka ndikuar në sigurimin e ushqimit në familje dhe në rritjen e papunësisë.

76% e familjeve raportojnë se nuk përmbushin aspak ose pjesërisht nevojat për ushqim gjatë pandemisë COVID-19.

68% e të intervistuarve u shprehën të shqetësuar se në të ardhmen e afërt situata e krijuar nga pandemia Covid-19 do të ndikojë në punësimin apo vetëpunësimin e tyre.

Ndërkohë përqindja e familjeve që raportojnë papunësi për shkak të kësaj situate është rritur me 10%.

Këto janë disa ndër gjetjet kryesore të raportit të vlerësimit të situatës të ndërmarrë nga World Vision Albania për 1199 familje në 15 bashki të vendit.

Mbledhja e të dhënave është realizuar në harkun kohor 28 prill – 8 maj 2020 dhe kohëzgjatja mesatare e çdo interviste telefonike ishte 44 minuta.

Në fokusin e këtij vlerësimi kanë qenë disa aspekte të rëndësishme që kanë prekur familjet në Shqipëri si: burimet e të ardhurave para dhe gjatë pandemisë COVID-19; mundësitë e familjeve për plotësimin e nevojave bazë; shëndeti mendor dhe dhuna në familje; edukimi i fëmijëve; njohuritë e familjeve për parandalimin e infektimit dhe përhapjes nga koronavirusi i ri.

Krahas ndikimit negativ në burimet e të ardhura, raporti tregon se qëndrimi i detyruar në shtëpi ka ndikuar edhe në shëndetin tonë mendor, dhunës në familje dhe edukimit.
35% e të intervistuarve raportojnë nivele shumë të larta ankthi dhe stresi. 49% e tyre raportojnë se fëmijët kanë qenë dëshmitarë të grindjeve të të rriturve në shtëpi dhe 17% pohojnë se fëmijët kanë qenë dëshmitarë të dhunës fizike në familje.

Në kushtet e krijuara prej Covid 19, nevoja e kërkon që veçanërisht gjatë kësaj periudhe, të mirëfunksionojnë mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve, ndërkohë të ofrohet mbështetje psiko-sociale si dhe shërbimi i specializuar të arrijë në familje.

Në një kohë ku globalisht dixhitalizimi është mënyra e vetme për të ndërtuar ura komunikimi, ka akoma fëmijë në mesin tonë që kanë nevojë për infrastrukturë teknologjike për të ndjekur mësimin online. Sipas gjetjeve paraprake të raportit, 5 në 10 fëmijë me aftësi të kufizuar nuk kanë mundur të bëhen pjesë e orëve mësimore nga shtëpia.

Gjendur në këto kushte, familjet shqiptare kanë nevojë për mundësi të qëndrueshme ekonomike për t’u rimëkëmbur sa më shpejt. /Monitor

OPINIONE

INTERVISTA