Vetëm në kryeqytet numërohen mbi 150 qendra kursesh të gjuhëve të huaja apo të mësimdhënies së lëndëve specifike, ndërsa në Durrës, me dhjetëra të tilla, raporton Monitor. Ky ekspansion i bizneseve të përçimit të dijes tregon për kërkesat në rritje të mësimit të veçuar nga institucionet arsimore. Vendin e parë në hierarki e mban mësimi i gjuhës gjermane, trendi i së cilës mbështetet nga kërkesat për shkollim apo punësim në Gjermani…
Pse gjermanisht?
Gjermania për arsye të cilësisë së formimit arsimor dhe tarifave relativisht të ulëta të studimit në krahasim me vendet e tjera perëndimore, mbetet tërheqëse për të rinjtë shqiptarë si një vend, ku mund të kryejnë studimet. Për grupe të ndryshme profesionesh si p.sh. mjekë, infermierë, inxhinierë, informaticienë etj., Gjermania ofron mundësi joshëse punësimi. Në këtë drejtim kërkohen si kusht njohuritë e gjuhës gjermane.
Sipas drejtueses së Qendrës Goethe në Tiranë, këto dy arsye të ndryshme kanë nxitur rritjen e kërkesave për të mësuar gjuhën gjermane. Trendi, sipas saj, tregon për një rritje 30% çdo vit.
Gjuha gjermane si profesion
Sipas të dhënave të ofruara nga Departamenti i Gjuhës Gjermane, pranë Universitetit të Tiranës, në ciklin e parë të studimeve bachelor, kuota përfshin 490 studentë për gjuhën gjermane, ndërsa në ciklin e dytë të studimeve master mbi 60 të tillë.
Sipas prof. Mihallaq Zileshiu, profesor i gjuhës gjermane prej më shumë se dy dekadash pranë Departamentit të Gjermanishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, numri i studentëve që zgjedhin këtë degë studimi është në rritje.
Tendenca ndër vite, sipas profesorëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka qenë drejt anglishtes dhe italishtes. “Kuotat u shtuan para tre viteve, duke marrë në konsideratë kërkesat në rritje të aplikimeve për gjuhë gjermane. Është e thjeshtë, gjuha gjermane bëhet më shumë në shkolla të mesme, qoftë publike apo private; qendrat e gjuhës janë përhapur me shpejtësi, apo të rinjtë synojnë të punojnë edhe në Gjermani. Të gjitha këto arsye e kanë shndërruar gjuhën gjermane në zgjedhje të mirë si profesion”, – thotë prof. Zileshiu.