Të huajt nuk dhanë rezultatin e pritur/ Bizneset në krizë, s’ka punonjës

Njerëzit sigurojnë punën e kërkuar nga bizneset në këmbim të pagave, duke shkëmbyer kohën e lirë të papaguar me kohën e punës së paguar për të garantuar jetesën dhe për të qenë në gjendje të blejnë mallra dhe shërbime. Bizneset, nga ana tjetër, e përdorin këtë punë për të prodhuar mallra dhe shërbime të kërkuara nga konsumatorët. Kur njerëzit kanë punë, kanë para për të shpenzuar në mallra dhe shërbime, gjë që ndihmon bizneset të rriten dhe të krijojnë më shumë vende pune.

Bizneset gjithashtu nxisin ekonominë kur punësojnë punëtorë, rrisin pagat dhe investojnë në zgjerimin e aktiviteteve të tyre. Shteti, nga ana tjetër, mbledh më shumë taksa, që ia kthen mbrapsht publikut nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, shëndetësi, mirëqenie sociale etj.

Ky është zinxhiri se si ka funksionuar ekonomia globale në shekuj. Vendet që kanë arritur të përdorin më mirë si fuqinë punëtore, ashtu dhe zhvillimet teknologjike, kanë arritur të sigurojnë jo vetëm shtim të mirëqenies, por edhe zhvillim të qëndrueshëm për brezat që do të vijnë.

Në Shqipëri, një nga hallkat e këtij zinxhiri po rrezikon të shkëputet. Gjetja e fuqisë punëtore po bëhet një problem gjithnjë e më madhor, një temë që është trajtuar vazhdimisht nga “Monitor” gjatë tre viteve të fundit. Ritmet e larta të emigracionit në tre vitet e fundit dhanë efekt të menjëhershëm në reduktimin e forcës së disponueshme për punë, sidomos tek të rinjtë. Një zgjidhje që u tentua me marrjen e të huajve nuk dha rezultatin e pritur. Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) bënë të ditur se deri në fund të vitit 2023, në vend kishte rreth 10 mijë të huaj që kishin marrë leje pune.

Kjo shifër nuk është as sa 2% e totalit të forcës së punës, e punësuar në sektorin privat jobujqësor. Bizneset tentuan rritjen e pagave si një mjet tjetër për të frenuar ikjen e fuqisë punëtore. Kjo lëvizje, që nuk u shoqërua me shtimin e produktivitetit, por më shumë nga gërryerja e fitimeve, tashmë po kthehet në bumerang, sidomos për eksportuesit që u prekën dhe nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët. Sipërmarrësit pohojnë se kjo situatë po ul fitimet investuese të kompanive për rinovim teknologjie dhe shtimin e linjave të prodhimit, pasi shpenzimi i kursimeve për rritje pagash, në periudhë të rënies së konsumit dhe të zhvlerësimit të kursit të këmbimit, vetëm sa shton agoninë e agropërpunuesve dhe eksportuesve për të mbijetuar. Kompanitë shqiptare nuk mund ta përballojnë shtimin e pagave për mbajtjen e fuqisë punëtore, pasi fitimet e tyre po gërryen. Kjo situatë po favorizon mallrat e importit, që po hyjnë me kosto më të lirë, duke goditur më tej prodhimin vendas.
Sipërmarrësit vendas ngrenë duart përballë kësaj situate dhe parashikojnë shtime të falimenteve, pasi shumë biznese nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë në treg nga mungesa e investimeve, për shkak të rënies së fitimeve. Edhe turizmi është në telashe. Nga njëra anë, ai po përjeton një lulëzim të vërtetë. Këtë vit pritet që numri i hyrjeve të shtetasve të huaj të shtohet me të paktën 30%, siç tregoi dhe tendenca e muajve të parë të vitit. Sezoni është zgjatur në pothuajse çdo muaj të vitit. Agjencitë e huaja kanë konfirmuar se që në shkurt kanë shitur 60% të paketave të Shqipërisë, që vijnë nga kontratat me garanci. Përballë këtij lulëzimi ka një “frikë” të madhe: mungesa e fuqisë punëtore.

Të gjithë po tremben nëse do të arrijnë t’i përgjigjen kësaj kërkese fluksi, pa ulur cilësinë e shërbimit. Askush nuk do të imagjinojë se çfarë do të ndodhë, nëse do të arrihet në pikën kur fluksi nuk do të arrijë të përballohet më. Ironike është se këtë vit priten më shumë turistë, bizneset kanë shtuar kapacitetet akomoduese në përgjigje të kërkesës, por ka më pak punonjës.

Për fat të mirë, cikli ekonomik është në rritje, i udhëhequr nga turizmi apo dhe pasuritë e paluajtshme që sërish po nxiten nga blerjet e të huajve. Për fat të keq, ky cikël rrezikon të ndërpritet nga mungesa e kapitalit njerëzor. Nga shteti, si gjithmonë, mos prisni asnjë ndihmë, apo përpjekje për rregullim tregu e konkurrence.

Ashtu si në rastin e krizës europiane, kur shumë biznese të huaja apo vendase panë hapësira, duke hapur call center apo fason në Shqipëri, bizneset shqiptare do duhet të përshtaten e të kalojnë nga call center e fason në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë, apo edhe në atë të shërbimit turistik. Dhe natyrshëm, bizneset e turizmit, por edhe të tjerët, do të duhet të rrisin nivelin e përdorimit të teknologjisë e mjeteve automatike, për të reduktuar apo për të eliminuar disa hallka të punës së krahut, në mënyrë që punonjësit të angazhohen për të kryer funksione më të kualifikuara./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne