Të rinjtë palestinezë vriten pa gjyq nga snajperat izraelitë

Pamjet filmike të sapo publikuara nga disa media palestineze dhe izraelite tregojnë momentin kur një protestues i ri palestinez qëllohet për vdekje nga snajperët izraelitë gjatë protestave më të përgjakshme në të cilat 16 palestinezë u vranë prej trupave ushtarake izraelite. Videoja, e cila u postua të shtunën nga “the Times of Israel” dhe disa media palestineze, tregon momentin e vrasjes së adoleshentit Abdel Fattah Abdel Nabi, i cili po mbante një gomë në dorë gjate momentit tragjik.

Adoleshenti humbi jetën në moment, thanë palestinezët në vendngjarje. Sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, 16 palestinezë, përfshirë dhe Abdel Nabiun, u vranë dhe mbi 1,400 të tjerë u plagosën të premten pasi forcat izraelite gjuajtën me plumba të vërtetë mbi protestuesit palestinezë që po kujtonin Ditën e Tokës si dhe përdorën gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur ata nga kufiri i rrethuar.

Përpara protestës, ushtria izraelite kishte vendosur tanke dhe 100 snajpera me autorizimin për tu përdorur përgjatë kufirit të Gazës.

Vendet të shumta muslimane anembanë botës shprehën zemërimin e tyre ndaj reagimit të ushtrisë izraelite ndaj demonstratës masive në Gaza.

Grevë e përgjithshme mbi vrasjet

Presidenti palestinez Mahmud Abbas e ka shpallur të shtunën ditë zije kombëtare dhe bëri thirrje për një grevë të përgjithshme për nder të viktimave. Ai gjithashtu tha se Izraeli ishte plotësisht përgjegjës për vrasjet tragjike të protestuesve paqësorë palestinezë. Greva për solidaritet me Gazën, do përkrahet si gjithmonë nga universitetet, shkollat dhe organizatat qeveritare.

Ndërkohë, në Rripin e Gazës, banorët thanë se trupat izraelite gjuajtën të shtëna paralajmëruese drejt një turme të rinjsh, disa prej të cilëve po digjnin goma. Zyrtarët e shëndetësisë thanë se të paktën 13 persona pësuan lëndime.

Funeral masiv për protestuesin palestinez

Mijëra palestinezë në pjesën veriore të Gazës përcollën funeralin e Hamdan Ismail Abu Amshait, i cili u qëllua për vdekje nga ushtarët izraelitë të premten, njofton Ministria e Shëndetësisë në Gazë.

Funerali filloi që nga shtëpia e të ndjerit në Beit Hanun dhe përfundoi në varrezat kryesore të qytetit. Palestinezet hodhën sllogane anti-izraelite dhe anti-amerikane, ndërsa mbartnin trupin e Abu Amshait drejt varrezave. Ndër shoqeruesit e funeralit ishin edhe luftëtarët e brigadave al-Aksa.

Funerali i madh vjen një ditë pas një ceremonie të ngjashme masive që u mbajt në të njëjtin qytet për një tjetër viktimë palestineze, i identifikuar si Sari Walid Ebu Odeh.

Grupet e të drejtave të njeriut e dënuan ashpër masakrën

Organizata të shumta për të drejtat e njeriut kanë dalë hapur kundër dhunës të shkaktuar nga Izraeli kundër civilëve të paarmatosur palestinezë.

Adalah, qendra ligjore për të drejtat arabe, ndër të tjera lëshoi një deklaratë të premten, ku denonconte përdorimin e snajperëve ushtarakë nga ana e Izraelit kundër demonstruesve civilë.

“Përdorimi i 100 snajperëve të ushtrisë izraelite kundër protestuesve civilë të paarmatosur palestinezë në Rripin e Gazës është i paligjshëm”, tha deklarata. Ajo kërkoi që të gjenden përgjegjësit për vrasjet dhe të sillen para drejtësisë.

Rripi i Gazës ka qenë nën rrethimin izraelit që nga qershori 2007. Bllokada ka shkaktuar rënie të standarteve të jetesës, papunësi dhe një varfëri të pashembullt.

Që nga viti 2008 Tel Avivi ka kryer tre luftëra në enklavën bregdetare, duke përfshirë edhe ofensivën e vitit 2014, e cila la më shumë se 2,200 palestinezë të vrarë./press/Gazeta Impakt

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne