Teatri/ Kokë të çarë e fraktura në trup, si u gjakosën e dhunuan barbarisht protestuesit nga policia

Shembja e Teatrit Kombëtar që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, solli më pas dhunë barbare nga Policia ndaj qytetarëve dhe shoqërime masive në Polici.

Situata është tensionuar pas orës 4:30 të mëngjesit, ndërsa qindra efektivë Policie kishin rrethuar godinën e Teatrit që po shembej.

Disa policë ishin të maskuar, disa pa numër identifikimi. Dhuna që ushtronin këta punonjës ishte e paprecedent ndaj qytetarëve, që kishin dalë qysh në momentin e parë kur kishin dëgjuar se Teatri po shembej.

POLICIA

Rreth 1000 punonjës Policie kishin dalë në terren me urdhër që të mos lejonin asnjë nga qytetarët të kalonte perimetrin e sigurisë, por ky vendim është kundërshtuar nga qytetarët e shumtë dhe aq më fort nga artistët, të cilët prej muajsh luftuan që ajo godinë ku ata kishin “jetuar”, të mos shembej.

Çdo mund i tyre ishte i kotë. Kush tentoi kalimin e atij perimetri të vendosur nga Policia, u dhunua barbarisht nga vetë këta të fundit. Por ajo që binte në sy në vendin e ngjarjes, ishte se punonjësi që dhunonte ishte i maskuar në mënyrë që mos të identifikohej, por edhe i papajisur me numrin e tij të identifikimit që e mban të ngjitur në uniformë.


A lejohet që një punonjës i Policisë të dalë në terren pa numrin e tij të identifikimit? Qytetarët shpreheshin se këta policë “të paidentifikuar” ishin të shumtë në mesin e tyre, në mënyrë që të dhunonin kë t’u dilte para.

DHUNA NDAJ QYTETARËVEDhjetëra qytetarë përfunduan të dhunuar në mënyrë barbare nga ata punonjës Policie “të paidentifikuar”. Shenja dhune mjaft të dukshme, në kokë, fytyrë, trup viheshin re te qytetarët. E vetmja gjë që këta të fundit kërkonin, ishte që godina e Teatrit të mos shembej, por kërkesa e tyre u përkthye në dhunë.

Shumë të rinj përfunduan në spital, dikush me fraktura të rënda dhe dikush qepte kokën. Të dhunuar përfunduan edhe ish-deputetë, të cilët bashkë me qytetarët dolën në protestë kundër shembjes së Teatrit. Sakaq, pasi kishin kaluar disa orë nga këto situata të dhunshme, grupe të rinjsh dolën në mbështetje të protestuesve të tjerë. Por edhe këta ranë pre e dhunës së Policisë.

Kjo e fundit nuk ka ngurruar aspak që në një moment, në rrugën “Myslym Shyri”, të përplasej me të rinjtë protestues. Protestuesve u është kërkuar të lirojnë rrugë, por këta të fundit kanë kundërshtuar, gjë e cila ka ashpërsuar reagimin e Policisë, ndërsa ka shoqëruar me dhunë disa prej tyre.

Me thirrjet “Turp, poshtë diktatura”, protestuesit kanë refuzuar t’u binden urdhrave të Policisë dhe janë konfrontuar fizikisht me ta, duke hedhur edhe sende të forta.

SHOQËRIMI NË POLICI

Dhjetëra protestues përfunduan të shoqëruar në Policinë e Tiranës. E përbashkëta e shoqërimeve të tyre ishe dhuna. Qytetarët që kundërshtonin Policinë merreshin me dhunë për t’u transportuar më pas në Polici. Shumë prej tyre madje, Policia nuk i kursente, duke i tërhequr zvarrë për t’i hipur në furgon.

Të gjithë të shoqëruarit janë dërguar në komisariate të ndryshme në Tiranë, për shkak të mosmbipopullimit të dhomave të shoqërimit në Drejtorinë Qendrore të Policisë.

Edhe pse shumica prej tyre ishin të dhunuar dhe me fraktura në trup, Policia i ka mbajtur të mbyllur për kundërshtim të punonjësit të Policisë dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne