Shqiperia

Tenderi 18 mln euro e fitoi i riu recepsionist, i gjithë projekti i Unazës së Madhe do të hetohet

Skandali i kompanisë “DH Albania”, që dyshohet të ketë përfituar tenderin e lotit të parë të ndërtimit të Unazës së Madhe me dokumente të falsifikuara mund të marrë përmasa edhe më të mëdha.

Prokuroria e kryeqytetit ka zgjeruar hetimin përtej këtij tenderi. Burime pranë organit të akuzës konfirmuan se në sitën e hetuesve do të kalojnë edhe dy lotet e tjera të segmentit “Shkolla Teknologjike” – sheshi “Shqiponja”.

Prokuroria ka ngritur dyshime se edhe në to mund të ketë pasur elementë të veprës penale të “shkeljes së barazisë në tendera” dhe të “shpëdorimit të detyrës”. Për këtë shkak prokuroria po grumbullon dokumentacionin e procedurës së tenderimit për të tre lotet e këtij segmenti të Unazës së Madhe me vlerë 40 milionë euro në total. Dyshimet e prokurorisë janë forcuar për faktin se në të tre lotet ka garuar edhe kompania “Vëllezërit Hysa”, por pa paraqitur oferët financiare. Sipas burimeve, garimi mund të ketë qenë fiktiv, vetëm për të legalizuar procedurën e prokurimit.

Paralelisht prokuroria po heton kompaninë “DH Albania” edhe tenderin 12 milionë euro të fituar nga Operatori i Sistemit të Trasmetimit për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi, aktualisht i anuluar.

Javën e kaluar, gjatë një raportimit të Zërit të Amerikës për skandalin e Unazës së Re u ngritën dyshime se pas “DH Albania” qëndron biznesmeni Bashkim Ulaj.  Prokuroria ka nisur fletë-thirrjet e para për personat që do të merren në pyetje në lidhje me hetimin ndaj kësaj kompanie. I pari që do të pyetet është 26 vjeçari Avdjol Dobi, përfaqsuesi ligjor i “DH Albania”, ndërsa në listën e personave që do japin shpjegime janë edhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe zyrtarë të ARRSH dhe OST.

 

OPINIONE