Shqiperia

“Tërbohen” mediat e Vuçiçit/ Televizioni serb interviston Albin Kurtin, në sfond shfaqet flamuri kuqezi

Mediat që kontrollohen nga pushteti në Serbi e të cilat njihen për lajme të rreme e propagandë pro Vuçiqit, kanë reaguar ashpër pasi që në emisionin ‘Pressing’ të televizionit N1 sonte do të jepet një intervistë e realizuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkruan Gazeta Express.

Xhirimet e kësaj interviste janë bërë në zyrën e partisë së Kurtit në Prishtinë e në prapavijë shihet edhe flamuri kuqezi. Këtë për Express e ka konfirmuar edhe zyra për media e VV-së.

Gazeta serbe “Informer” e ka quajtur një gjë të tillë si skandaloze, duke thënë se Kurti do të shfaqet në televizionin serb për të promovuar Kosovën dhe ata që pranojnë pavarësinë e Kosovës duke aluduar te Nenad Rashiq, Rada Trajkoviq e Sllobodan Petroviq.

Tutje kjo gazetë ka shkruar se intervista e Kurtit në televizionin N1 vjen vetëm një ditë pasi përkrahësit e opozitës në Serbi protestuan para objektit të televizionit publik serb ku po jepte një intervistë presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic.

Për intervistën e kreut të VV-së ka njoftuar edhe vetë televizioni N1. Në orën 20:00 në emisionin ‘Pressing’ të këtij televizioni Kurti do të flasë për të kaluarën e UÇK-së, heqjen e taksës 100 për qind, kush do t’i prezantojë komunitetin serb në qeverinë e Kosovës, si do t’i qaset dialogut Beograd-Prishtinë dhe marrëveshjen potenciale mes dy vendeve. Autori i këtij emisioni është Jugosllav Çosiq. /GazetaExpress/

OPINIONE