Tërheqja e SHBA-së dhe Izraelit nga UNESCO – Zarif: Ndoshta tërhiqen edhe nga planeti Tokë!

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka bërë të martën komente sarkastike në lidhje me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

“Pas marrëveshjes bërthamore (JCPOA), Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), Partneritetit Transpaqësor (TPP) dhe Marrëveshjes së Parisit për Klimën, regjimi i Trumpit – së bashku me regjimin izraelit – u tërhoqën zyrtarisht edhe nga UNESCO-ja. A u ka mbetur administratës Trump dhe regjimit klient të saj ndonjë gjë tjetër për t’u tërhequr? Ndoshta të dyja bashkë nga planeti Tokë?”, ka shkruar Zarif në rrjetin social “Twitter”.

Duke filluar që nga viti i ri, SHBA-ja dhe Izraeli, dy vende që kanë aplikuar zyrtarisht që në vitin 2017 për t’u tërhequr nga UNESCO-ja me pretekstin se kjo organizatë mban një qëndrim paragjykues ndaj Izraelit në raport me problemin palestinez, nuk kanë më asnjë lidhje me UNESCO-n.

Uashingtoni dhe Tel-Avivi e patën akuzuar UNESCO-n si “antiizraelite” duke e justifikuar këtë me vendimet e organizatës në fjalë për të kritikuar praninë e Izraelit në Jerusalemin Lindor, qytet i konsideruar me rezolutë të OKB-së si territor palestinez nën pushtim; për të cilësuar veprat historike në atë zonë si “trashëgimi kulturore palestineze” dhe për të miratuar anëtarësimin e Palestinës në vitin 2011.

Në tetor të vitit 2017, Presidenti Donald Trump i SHBA-së pati aplikuar zyrtarisht për t’u tërhequr nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Ky hap i Uashingtonit u ndoq pa kaluar shumë edhe nga Izraeli./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne