Nga frika se Edi Rama do e shkrijë fare, siç bëri me AKU, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) i është bashkuar aksionit të nisur nga qeveria për terrorin qeveritar kundër ndërtimeve pa leje në vend, duke marrë masa për të ndaluar lidhjet e reja me rrjetin elektrik.
Në një deklaratë zyrtare, OSHEE thotë se nuk do të pranojë asnjë kërkesë për lidhje të re me rrjetin elektrik nga ndërtesa që nuk kanë leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e përcaktuara në lejen ekzistuese.
NJOFTIMI I PLOTË
Në kuadër të aksionit të nisur nga qeveria shqiptare për të goditur paligjshmërinë në fushën e ndërtimit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) shprehet i vendosur për të kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët institucionale.
OSHEE është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.
OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndertimit.

















