Islamofobi Opinion

Terroristët dhe terrorizmi kanë fe 2

nga imam Ervis Jangulli.

Ngjarja e rëndë që ndodhi në Zelandën e Re, ku u vranë brenda në xhami 49 besimtarë muslimanë, ditën e Xhuma, siç e kam përmend duhet të na zgjoje me kuptuar realisht burimin dhe shkakun real të terrorizmit në këtë rast, por edhe ne rastet tjera. Terroristi me emrin Brenton Tarrant është ai që ka shkaktuar një zemëratë të madhe tek mbarë komuniteti musliman botëror, por edhe tek një pjesë e madhe e njerezve tjerë që janë solidarizu dhe ju ka ardhur keq për vrasjen e njerëzve te pafajshem kaq barbarisht. Mirëpo makineria e madhe e terrorizmit nuk qëndron vetëm tek ky person, por mund të themi se ky rast është prej atyre shembujve që më së miri e shfaq këtë ndjenjë të urrejtjes së pakufishme që kanë njerëzit e këtillë.

Çfarë dua të them është se rasti s’duhet të shifet si i vogël, si i kufizuar, si periferik dhe të kalohet lehtazi e thjesht dhe vetëm duke parë solidarizimet e tjerëve. Jo, problemi duhet parë me guxim drejt e në sy. Për shembull, pse një pjesë e madhe e medias dhe politikës ( botërore dhe shqiptare ) e kaluan pothuajse turpësisht me heshtje ose thjesht me nje ngushellim. Gjithsesi mbetet për t’u parë se ç’linjë dhe ç’filozofi do të ndjekin në trajtimin e shuarjen e barbarive të tilla! Ne duhet me qenë vigjilentë, me i ndjek këto çështje dhe jo thjeshtë me u fokusu obobo se çprotestë të madhe po bën ky apo ai dhe vallë a do vijë ky apo ai në pushtet, ku ne shumë mirë i dimë pazaret që behen këtu.

Megjithatë më lejoni t’ua shpreh se mendimi im i parë është se helmi i hedhur gjithë këto vite nga politika e mediat botërore, u pa qartazi se dha helmimin e parë tek ky rast ku një terrorist i mbushur me këtë helm, vrau pa pikë mëshire dhjetra besimtarë, burra, gra e fëmijë. Ky rast është prodhim i asaj mendësie që gjatë gjithë kohës është shpërnda se muslimanët janë problem (për t’mos përmend ç’nuk është thënë e stërthënë), dhe për të shpëtuar prej tyre duhet t’i vrasim ka menduar truri i atij të marri. Ai ishte 28 vjeçar që do të thotë është i rritur e i brumosur me këto lajme të hedhura kudo. Problemi është se kështu lloj tezash jane hedhur e hidhen nga njerëz me kostum e kollare që dalin e analizojnë nëpër studio si “killera” profesionistë që e dinë se një lajm sot e një nesër do ta bëje efektin në psikologjinë e njerëzve.

Problemi tjetër është tek heronjtë e atij terroristi ( njëri prej tyre), Skënderbeu, përkoi edhe me heroin tonë kombëtar. A është vallë kjo një rastësi apo e mirëstudiuar nga ai?! Por në fakt ai ishte plotësisht i vetëdijshëm. Unë s’do të ndalem gjatë tek kjo pikë, por natyrshëm më erdhi në mendje se shpesh nëpër studio televizive ku është debatuar figura e Skënderbeut, historiani Olsi Jazexhi edhe analistë të tjerë si Fatos Lubonja e të tjerë që s’më vijnë tash ndërmend , e kanë shprehur se miti i skënderbeut është problematik dhe kontraversial në shumë sa aspekte sidomos sa i përket kornizave të kohës sonë së tashme dhe aspiratës sonë me qenë pjesë e BE-së. Pse? Sepse sot kërkohet dhe është mëse e nevojshme bashkëjetesa dhe multikulturalizmi. Pikërisht kjo gjë, kjo vlerë është edhe në Evropë. Me jetu shumë kultura bashkë dhe në harmoni. Tamam për këtë arsye Skënderbeu tregohet nëpër tekstet tona shkollore si një person që vret, që bën kundër një populli tjetër.

Dikur para 100 vitesh edhe mund të ketë qenë i nevojshëm për të pas një hero ku do frymëzoheshin njerëzit të formonin shtetin e tyre, por sot është krejt i panevojshëm dhe burim frymëzimi për akte terroriste dhe për terroristët kundër muslimanëve në veçanti. Unë e di që mund të shkaktoje indinjatë (tek disa njerëz), siç kishte shkaktu indinjatë te disa edhe titulli i këtij shkrimi, por thjesht analizojeni në qetësi dhe ftohtësi. Mbi të gjitha, për ne sot duhet të jetë bashkëpunimi dhe bashkëjetesa me popuj, kultura, raca dhe fe të tjera. Dhe në këtë kontekst dua t’ju kujtoj një prej urtësive më të dashura për mua, thënien e Hazreti Aliut r.a: “Njerëzit i kemi vëllezër në fe ose në humanitet”. Kështu që problemi dhe shqetësimi ynë i vetëm është me i identifiku shkaqet kryesore të terrorizmit dhe me hedh ilaçin aty ku është sëmundja.

OPINIONE