TERRORIZËM MIRDITOR NË QAF-MOLLË

NGA SAMET VATA

Beteja e fundit në Mirditë e zhvilluar midis një flamuri dhe një komuniteti, është tregues se lokalitete dhe komunitete të caktuara të shoqërisë sonë vuajnë nga disa trauma psiko-patetike duke shfaqur në aktivitetin e tyre social pervertime nga më të cuditshmet, të cilat të bëjnë të mendosh se ende në kohën e teknologjisë dhe komunikimit, gjenden njerëz të cilët bashkëjetojnë në primitivizëm. Lufta ndaj pllakatës së flamurit turk të vendosur përkrah atij shqipar në Hec-in e Qaf-mollës sjell në mendje edhe një herë bëmat e don Kishotit i cili tërbohej kur shihte mullinjtë me erë dhe sulej për t`i shfarosur. Një armik imagjinar i transformuar në gjysmëhënë me yll, tregon se donkishotizmi mirditor vuan nga dy sindroma: injoranca dhe urrejtja.

Nëse do të kishte një armik për tu luftuar me zellin më të madh në vendin tonë, do të ishte analfabetizmi dhe padituria të cilat vazhdojnë të jenë në përqindje të madhe në vendin tonë. Nëse ka dicka që duhet të shkulet këtu te ne, ajo është urrejta që ka kapluar zemrat tona dhe bën që të ketë vëlla-vrasje në nivele lufte. Megjithatë, këto sindroma kanë edhe kurën e tyre. Nëse qytetarët Mirditorë kanë dëshirë ta vrasin injorancën, studimi në Turqi si dhe lehtësiat që ka ofruar kjo e fundit nëpërmjet bursave të studimit në vende të ndryshme do ta zgjidhte shumë lehtë këtë problem. Nëse vëllezërit tanë Mirditorë duan të shërohen prej urrejtes patologjike, le ta vizitojnë njëherë Stambollin dhe ta ngrejnë flamurin shqiptar në cdo rrugë ku ecin, do të vërejnë një dashuri dhe respekt më të lartë ndoshta edhe se në Shqipëri. Por druhem se ata njerëz atje nuk duan të shërohen nga sëmundja e tyre. Sprish punë.

Mirdita nuk përfaqëson Shqipërinë dhe shqiptarët.

Shqiptarët i përfaqëson paqja, bashkëpunimi, integriteti dhe dituria. Retorika ultra-nacionaliste e trashëguar nga propaganda komuniste tashmë është e vjetruar. Ajo që vlen të thuhet dhe t`i kushtohet rëndësi është zhvillimi i infrastrukturës vendore dhe intelektualizimi i shoqërisë sonë. Turqia është një prej vendeve me zhvillimin më të lartë në rrafsh botëror dhe këtë sukses të sajin dëshiron ta aktualizojë edhe në gjeografinë shqiptare, gjë e cila është mëse e mirpritur. Vendosja e flamurit të një vendi aq të suksesshëm në institucionë apo në sheshet e vendit tonë, duhet të shërbejë si shembull sesi një vend mund të kapërcejë krizat dhe prapambetjen për një periudhë afatshkurtër dhe jo për të mbjellë urrejtje dhe injorancë.

Hec-i ndërtuar në Qaf-mollë është vetëm një prej shumë projekteve madhore që investitorët turq kanë vendosur të realizojnë në vendin tonë. Këto projekte do të shërbejnë për punësimin e qytetarëve shqiptar, rritjen e vendeve të punës, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e mundësive që Shqiptarët të anohen kah vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Lehtësirat doganore dhe marrëveshjet tregtare të nënshkruara midis Shqipërisë dhe Turqisë janë shenjë e një vizioni të përbashkët politiko-ekonomik me përmasa afatgjata. Në këtë tren që tashmë është nisur, vizionarët duhet të jenë në bord. Nga ana tjetër, kushdo që mënyrë jetese ka urrejtjen dhe konfliktin, është i destinuar të zhduket në histori.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne