Tetë sulme ajrore kanë goditur herët të martën bazën ajrore Abu al-Duhur, në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë. Sipas mediave shtetërore siriane, sulmet kanë shkaktuar dëme në pistën e bazës, por nuk raportohet për viktima.
Televizioni shtetëror sirian, duke cituar një burim ushtarak, deklaroi se sulmi u krye nga forcat izraelite. “Avionët pushtues izraelitë” shënjestruan pistën e aeroportit ushtarak me tetë sulme, thuhej në raportim.
Izraeli nuk ka bërë menjëherë ndonjë koment mbi sulmin.
Sulmi vjen në një kohë kur Izraeli ka intensifikuar goditjet ndaj objekteve ushtarake në Siri. Sipas Al Jazeera-s, fushata synon të dobësojë më tej kapacitetet ushtarake siriane, një proces që ishte nisur gjatë regjimit të Assadit dhe u përshkallëzua pas largimit të tij nga pushteti./BW
















