Thaçi: Është koha për vendimmarrje historike për Kosovën që sjell rezultat konkret

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë homazhe tek shtatorja e heroit të popullit, njërit ndër komandantëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Zahir Pajaziti, me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

Në një deklarim për media pas homazheve, Thaçi tha se këto ditë kur po shënohet 21-vjetori i ditëve të çlirimit të vendit, “dërgojmë mesazhin e respektit shtetëror për të gjithë heronjtë e popullit, luftëtarët e UÇK-së, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe gjithë qytetarëve që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Janë këto ditë heroike, janë këto ditë historike të rëndësishme. Pa luftën e UÇK-së, pa sakrificën e qytetarëve të Kosovës nuk do të lëvizte as Bota, kështu që rezistenca jonë e drejtë, sakrifica jonë e madhe që u tregua në fushëbeteja dhe kauza e drejtë demokratike bëri që të kemi krah nesh aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, theksoi Thaçi.

Thaçi u pyet nga gazetarët edhe sa u përket paralajmërimeve për një vizitë të mundshme në ditët në vijim të Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se ende nuk është informuar zyrtarisht.

Presidenti kosovar tha se “për neve është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtarë që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si një vend i pavarur dhe sovran, ndërsa çdo qasje tjetër është e dështuar nga kushdo qoftë”.

Thaçi tha se beson në qasjen e SHBA-së si dhe në dinamikën dhe energjinë e të dërguarit të posaçëm për dialogun nga SHBA, Richard Grenell, të cilat, sipas presidentit Thaçi do të shënojnë rezultate konkrete.

“Nuk është koha tani për matje të pulseve apo trajtimeve seminarike të çështjes së Kosovës për njohje reciproke Kosovë-Serbi, por është koha për vendimmarrje historike që sjell rezultat konkret”, tha Thaçi.

Sa i përket deklarimeve të djeshme të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti se kryeministri do ta udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi tha se “nuk është në garë për një gjë të tillë me kryeministrin por do ta plotësojmë njëri-tjetrin në të mirë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”./AAa

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne