Turqia hedh poshtë raportin ndërkombëtar për liritë fetare

Turqia sot kritikoi Raportin Ndërkombëtar të Departamentit Amerikan të Shtetit për Liritë Fetare si “të shkruar në një gjuhë larg nga objektiviteti”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy pëmes një deklarate tha se përmbajtja e raportit për Turqinë përfshinte “pretendime pa ndonjë burim”.

“Pa asnjë diskriminim, Turqia vazhdon të mbështesë qëllimet e saj në mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive fetare dhe adhurimit për të gjithë qytetarët tanë përmes hapave konkrete. Fetë dhe besimet e ndryshme jetojnë në paqe dhe harmoni në vendin tonë”, tha Aksoy.

Ai nënvizoi se në 20 vitet e fundit, Turqia ka ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për të përmirësuar të drejtat dhe liritë e jo-muslimanëve. Aksoy tha se vendi kishte vendosur legjislacion dhe praktika qeverisjeje për të gjithë qytetarët që të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të parandalojnë të gjitha mjetet e diskriminimit si pjesë e përpjekjeve të saj për demokraci të mëtejshme.

Duke iu referuar qëndrimit të raportit për diskutimet për kthimin e Muzeut Aja Sofia dhe Kariye të Stambollit në xhami, Aksoy tha se: “Aja Sofia dhe Kariye janë pronë e Republikës së Turqisë dhe të gjitha mjetet e autoritetit (të muzeve) janë çështje të punëve të brendshme të Turqisë”.

“Vendimet e ndërmarra ose që duhet të merren në lidhje me këto vende nuk janë shqetësim i shteteve të tjera”, shtoi ai.

Aksoy më tej tha se të gjitha pronat kulturore dhe fetare në Turqi janë të mbrojtura mirë.

Duke cituar islamofobinë në rritje, antisemitizmin, racizmin dhe ksenofobinë në SHBA, Aksoy tha se është “tragjikomike” për Washingtonin të përdorë raporte të tilla për të tërhequr vëmendjen e botës larg nga protestat e përhapura në vend.

Aksoy hodhi poshtë “të gjitha mospërputhjet dhe deklaratat e qëllimshme por edhe të pabaza në raport” dhe i bëri thirrje SHBA-së të përqendrohet në punët e saj të brendshme në liritë fetare dhe të drejtat e njeriut./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne