Bota

Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos më i pasuri i planetit

Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos i ka rrëmbyer Bill Gates vendin e parë në klasifikimin e miliarderëve të globit në publikimin e sotëm nga revista ‘Forbes’.

Në sajë të rritjes së aksioneve të Amazon me 59% gjatë 12 muajve të fundit, Bezos praktikisht ka dyfishuar pasurinë e tij në 120 miliardë dollarë (97,4 miliardë euro), duke kaluar në këtë mënyrë themeluesin e Microsoft, Bill Gates me 90 miliardë dollarë (73 miliardë euro), njoftoi revista.

Pas biznesmenit, Warren Buffet, i cili ruajti vendin e tretë, u rendit francezi Bernard Arnault, CEO i grupit të luksit LVMH, i cili u ngjit në vendin e katërt mes më të pasurve të globit. Ai u rendit shtatë pozicione më lart në raport me klasifikimin e kaluar falë rritjes së euros, sipas një klasifikimi bazuar në vlerën e aksioneve dhe kursit të këmbimit.

Dy miliarderë kineze janë renditur në mesin e 20 më të pasurve të globit. Ma Huateng, drejtuesi i gjigantit të internetit Tencent, i cili mban fronin e personit më të pasur të Azisë, duke u renditur në vendin e 17 në rang botëror, dhe Jack Ma, themeluesi emblematik i gjigantit kinez të tregtisë on line Alibaba, i cili u ngjit në vendin e 20.

Në mesin e personave që kanë pësuar rënie në klasifikim këtë vit renditet presidenti Donald Trump, i cili ka rënë nga vendi i 554 në atë të 766 të miliarderëve botërorë, me një pasuri që vlerësohet tashmë me 3,1 miliardë dollarë (2,5 miliardë), ose 400 milionë më pak se një vit, që nga fillimi i mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë. (ATSH)

OPINIONE