Thuajse inekzistente, por Hekurudha Shqiptare paguan rreth 900 punonjës

Shinat e para të hekurudhës shqiptare u shtruan në vitin 1947 dhe ishin ato në aksin Durrës- Peqin. Deri në vitet 1990 hekurudha mori një hov të madh, duke punësuar rreth 13 mijë njerëz. Shefqet Muça që ka punuar për rreth 3 dekada si mashinist, rrëfen se hekurudha ishte një krenari për të gjithë. “Treni i mallrave dhe i pasagjerëve shkonte që nga Hani i Hotit e deri në Pogradec. Tonelata me minerale, naftë apo mallra të tjerë transportoheshin çdo ditë nëpërmjet linjës hekurudhore që dispononte një rrjet prej afro 1000 km rrjet për transportin e qytetarëve dhe të mallrave” u shpreh Shefqet Muça, makinist treni.

Pas viteve 90-të, hekurudha e humbi shkëlqimin, u la pas dore dhe u braktis.

“Drejtimin e saj e morën njerëz që për herë të parë panë tren me sy kur erdhën drejtorë…” u shpreh Shefqet Muça, makinist treni. Sot hekurudha është thuajse jashtë funksioni. Linja Tiranë – Durrës është ndërprerë prej dy vitesh pasi i është nënshtruar rikoonstruksionit, ndërsa në të rrallë mund të shohësh që lëviz një lokomotivë me një ose dy vagona.

“U amortizua shumë. Traversat ishin prej druri dhe ishin bërë si pleh dhe hapej shina e dilte treni’ u shpreh Shefqet Muça, makinist treni. Pavarësisht kësaj, hekurudha shqiptare ende punëson qindra njerëz. Referuar listës së pagave të vitit 2021 në listë pagesë ishin mbi 900 persona. Një barrë që i kushton buxhetit të shtetit, edhe pse është një sektor që meriton mbështetje për tu rigjallëruar.

‘Për sa kohë nuk ka tren nuk e kuptoj pse duhet të jenë në punë kaq shumë njerëz. Nëse duan ti mbajnë me patjetër le t’u japin një kazmë dhe të angazhohen nga kompania që po rindërton hekurudhën, por jo të paguhen kot” u shpreh Shefqet Muça, makinist treni. Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” është shoqëri me kapital 100 % shtetëror, me aksionar të vetëm Ministrinë e Ekonomisë. Ndërsa Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka për detyrë supervizimin e saj./ Top Channel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne