Slavoj Zizek
Përktheu Arlind Manxhuka
Më 19 qershor 2014, në përvjetorin e dytë të izolimit të Julian Assange-it në ambasadën e Ekuadorit në Londër, WikiLeaks bëri publike draft tekstin sekret për Marrëveshjen për Tregti dhe Shërbime (TISA) Aneksin e Shërbimeve Financiare. Dokumenti ka qenë i sistematizuar jo vetëm gjatë negociatave për TISA-n, por për pesë vite pasi ajo hyri në fuqi si marrëveshje.
Përderisa negociatat për TISA-n nuk kanë qenë të censuruara plotësisht, ato kanë qenë vështirë të përmendshme në media – të margjinalizuara dhe të fshehura, gjë që është në kontradiktë me rëndësinë historike-botërore së marrëveshjes TISA. TISA në mënyrë efektive do të shërbejë si një shtyllë për rikostruktimin e tregut botëror, duke ua përcaktuar të ardhmen qeverive, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet dhe çka gjykatat thonë. Ajo do të imponojë një kornizë kufizuese mbi shërbimet publike, duke e bërë më të vështirë zhvillimin e shërbimeve të reja si dhe ruajtjen e atyre ekzistuese.
A është vërtetë se është e befasishme kjo mospërputhje mes rëndësisë politiko-ekonomike dhe fshehtësisë? A nuk është një tregues i mërzitshëm por preciz se ku qëndrojmë ne, në shtetet Perendimore liberal-demokratike, në raport me demokracinë? Një shekull e gjysëm më parë, tek “Kapitali”, Karl Marx e karaterizonte shkëmbimin tregtar mes punëtorit dhe kapitalistit si “një Eden i vërtetë i të drejtave të lindura të njeriut. Veç aty sundon Liria, Barazia, Prona dhe Benthami.” Për Marksin, shtesa ironike e Jeremi Benthamit, filozof i ultilitarizmit egoist, mundëson çelësin e asaj se çka do të thotë faktikisht liria dhe barazia në shoqërinë kapitaliste. Le të citojmë “Manifestin Komunist”: “Me lirinë nënkuptohet, nën kushtet e prodhimit aktual e borgjez, tregu i lirë, shit-blerja e lirë.” Dhe me barazi nënkuptohet barazia legale zyrtare mes shitësit dhe blerësit, edhe nëse ndonjëri prej tyre është i detyruar ta shesë me çdo kusht punën e tij, sikurse sot punëtorët e pasiguruar (prekariati). Sot, liri do të thotë rrjedha e lirë e kapitalit dhe e të dhënave financiare e personale (të dyjat rrjedhin të garantuara nga TISA). Por çka sa i përket demokracisë?
Fajtorët kryesorë të krizës financiare të 2008 tani e paraqesin veten si ekspertët që mund të na udhëheqin në rrugën e dhimbshme të rimëkëmbjes financiare, këshillat e të cilëve duhet pra të shihen me prioritet më shumë se sa politika parlamentare. Ose, siç e tha ish kryeministri italian dhe teknokrati i BE-së Mario Monti: Nëse qeveritë e lënë vetëveten të jenë plotësisht të kontrolluara nga vendimet e parlamentëve të tyre, pa e mbrojtur lirinë e tyre të veprimit, atëherë ndarja e Evropës do të jetë rezultat më i mundshëm sesa ndonjë integrim i mëtejshëm.”
Por cila është pra ajo forcë më e lartë, autoriteti i së cilës mund të suspendojë vendimet e përfaquesve të përzgjedhur në mënyrë demokratike nga njerëzit? Që në 1998, përgjigja u dha nga Hans Tietmeyer, asokohe guvernator i Deutsches Bundesbank, i cili mbajti lartë “plebishitin permanent të tregjeve globale” si superior ndaj “plebishitit të kutive të votimit”. Vëreni retorikën demokratike të këtij pohimi të turpshëm: Tregjet botërore janë më demokratike sesa zgjedhjet parlamentare, meqenëse procesi i votimit vazhdon pa u ndalur e globalisht, e jo një herë në katër vjet dhe brenda kufijve të një shteti. Ideja e nënkuptuar është: Kur ndahen prej këtij kontrolli superior prej tregjeve (dhe ekspertëve), vendimet demokratike-parlamentare bëhen “të papërgjegjshme”.
Këtu pra, qëndrojmë ne në lidhje me demokracinë. Marrëveshjet e TISA-s janë një shembull perfekt. Vendimet kyç për sa i përket ekonomisë sonë janë negocuar në fshehtësi, jashtë vëzhgimit tonë, pa debat publik. Dhe vendime të tilla vendosin koordinatat për rregullat e pafrenuara të kapitalit. Kjo në mënyrë të rreptë kufizon hapësirën për vendimarrje të përfaqusesve të zgjedhur politikë, duke e lënë procesin politik të merret kryesisht me çështjet ndaj të cilave kapitali është indiferent, si psh. rezultati i luftrave kulturore.
Si pasojë, publikimi i draftit të TISA-s shënon një stad të ri në strategjinë e WikiLeaks-it. Deri tash, aktiviteti ka qenë i fokusuar në bërjen publike se si jetët tona janë të monitoruara dhe rregulluara nga agjencitë shtetërore të intelegjencës – ky është shqetësimi standard liberal i individëve të kërcënuar nga aparatet shtypëse të shtetit. Tani, një forcë tjetër kontrolluese po shfaqet – kapitali – ky kërcënon lirinë tone në një mënyrë shumë më perverse, duke e shtrembëruar vetë sensin tonë të lirisë.
Meqenëse shoqëria jonë e mban lirinë e zgjedhjes si një vlerë supreme, kontrolli social dhe dominimi nuk mund të ushtrohen më nëse shfaqen si kërcenues të lirisë së subjektit. Kështu pra, mos-liria mbulohet në maskën e të kundërtës së saj: Kur na privojnë nga kujdesi shëndetësor universal na thonë se po na japin një liri të re, që ta zgjedhim vetë se ku do ta marrim shërbimin shëndetësor; kur nuk mundemi më të mbështetemi në punësime afatgjate dhe jemi të detyruar të sia të rishpikim vetveten dhe të zbulojmë potenciale të reja të papritura që fshihen brenda personalitetit tonë; kur na duhet të paguajmë për edukimin e fëmijëve tanë, na thonë se po bëhemi “sipërmarrës të vetvetes”, të lirë të investojmë në veten tonë dhe rritjen e përmbushjen personale të fëmijëve tanë.
Vazhdimisht të bombarduar nga këto “zgjedhje të lira” të imponuara, të detyruar për të marrë vendime për të cilat kryesisht nuk jemi as të kualifikuar ose të informuar, “liria jonë e zgjedhjes” gjithnjë e më shumë bëhet një barrë që na privon nga zgjedhja vërtetë e lirë – zgjedhja (ose më saktë vendimi) për të lëvizur përtej lirisë së tregut drejt lirisë së organizimit kolektiv rregullimit të procesit të prodhimit dhe shkëmbimit. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se vetëm në këtë mënyrë njerëzimi do të jetë në gjendje të përballojë me antagonizmat që kërcënojnë vetë mbijetesën e tij (ekologjinë, biogjenetikën, “pronën intelektuale”, shfaqjen e një klase të re të të përjashtuarve nga jeta publike).
Ndoshta ky paradoks hedh një dritë të re mbi obesesionin tonë me ngjarjet në Ukrainë – ngjarje gjerësisht të mbuluara nga mediat, në kontrast të pastër me heshtjen e tyre mbi TISA-n. Çka na habit ne në Perendim nuk është fakti se njerezit në Kiev janë ngritur për mirazhin e stilit evropian të jetesës, por që ata – me sa duket të paktën – thjesht janë ngritur dhe kanë provuar të marrin fatin në duart e veta. Ata vepruan si agjentë politikë duke imponuar një ndryshim radikal – diçka që, siç dëshmojnë negociatat për TISA-n, ne në Perendim nuk kemi më mundësi ta bëjmë./ rreth