Bota Teknologji

Tjetër skandal për privacinë e Facebook: Kompanitë Spotify dhe Netflix kanë akses në llogaritë e përdoruesve dhe kontrollojnë mesazhet private

Facebook ka pranuar se ka lejuar kompani të tilla si Spotify dhe Netflix, të hyjnë në llogaritë e miliona njerëzve për të pasur akses tek të gjitha mesazhet e tyre private.

Duke ju përgjigjur një raportimi të medias New York Times që tregonte se si Facebook përgjatë viteve i kishte ofruar aksesin e përdoruesve të vet, partnerëve të tjerë, kompania tha se i kishte dhënë kompanive të palëve të treta akses të gjerë në mesazhet private. Facebook tha se kjo ishte bërë që njerëzit të mund të hynin nëpër shërbime të tjera, të tilla si Spotify, me anën e llogarive të tyre në Facebook dhe pastaj të dërgonin mesazhe përmes aplikacioneve të Spotify.

Kompania shkroi në një postim: “A kanë pasur partnerët qasje tek mesazhet? Po. Por njerëzit duhej fillimisht të identifikoheshin në mënyrë eksplicite në Facebook për të përdorur aplikacionet e mesazheve të partnerit tjetër. Merrni si shembull partnerin Spotify. Pasi të futesh në llogarinë tënde të Facebook në aplikacionin desktop Spotify, atëherë mund të dërgosh dhe të marrësh mesazhe pa dalë nga aplikacioni. Aplikacioni jone API u ofron partnerëve tanë qasje në mesazhet e personave në mënyrë që ky lloj funksioni të fuqizohet.”

Duke përmendur të dhëna të brendshme nga Facebook, The Times tha se Spotify mund të shohë në muaj mesazhet e më shumë se 70 milionë përdoruesve në Facebook. The Times raportoi se Spotify, Netflix dhe Banka Mbretërore e Kanadasë (Royal Bank of Canada) mund të lexonin, shkruanin dhe madje të fshinin mesazhet e njerëzve.

Megjithatë Spotify dhe Netflix i thanë The Times se ata nuk ishin në dijeni se e kishin këtë lloj aksesi të zgjeruar. Facebook tha për The Times se nuk gjeti prova të abuzimeve. Netflix tha për Business Insider se nuk kishte qasje në mesazhet e askujt.

“Përgjatë viteve ne kemi provuar mënyra të ndryshme për ta bërë Netflixin sa më social”, tha një zëdhënëse. “Një shembull i kësaj ishte një veçori që e nisëm në vitin 2014, që u mundësonte anëtarëve të rekomandonin tv show dhe filma për shokët e tyre në Facebook përmes Messengerit ose Netflix-it. Ky aplikacion nuk u bë asnjëherë popullor kështu që ne e mbyllëm këtë veçori në vitin 2015. Asnjëherë nuk patëm akses të mesazheve private të personave në Facebook apo që të mundoheshim ndonjëherë që ta fitonim këtë aftësi.”

Që Facebook do të kishte integrime të brendshme me partnerë të palëve të treta kjo nuk është medoemos dicka e habitshme, ka theksuar shefi i privatësisë së kompanisë, Alex Stamos. Kjo mund të sinjalizojë një ekosistem të shëndetshëm dhe të ndërveprueshëm.

“Më vjen keq, por që të lejosh klientë të palëve të treta është lloj i veprimeve pro-konkurruese që ne duam të shohim nga platformat dominuese”, shkroi Stamos të mërkurën në Twitter. “Duke e bërë Gmail-in të aksesueshëm vetëm për Android dhe aplikacionet Gmail, do të ishte e tmerrshme. Skandalizimi që New York Times po mundohet ti bëjë këtij lloj integrimi është i gabuar”.

Më shqetësuese për vëzhguesit është aksesi i madh që Facebook u ka dhënë palëve të treta për të dhënat e përdoruesve, pa leje dhe pa i informuar siç duhet përdoruesit. Shumë njerëz kanë tendencën që ti marrin mesazhet e tyre private në mediat sociale në një mënyrë që të mbetet gjithmonë private.

Ish-zyrtarë të Komisionit Federal të Tregtisë thanë për The Times se marrëveshjet e reja të zbuluara për të dhënat në Facebook, ndoshta i kanë shkelur rregullat e kërkuara.

Për Facebookun, kjo është me fundit nga seria në vazhdim e skandaleve të privatësisë. Ai ende po lufton me pasojat e skandalit Cambridge Analytica të muajit mars dhe me gjobat e shumta të rregullatorit. Gjatë muajve të fundit janë zbuluar shkelje të shumta, duke përfshirë edhe një hakim i rëndë që preku gati 50 milionë përdorues në muajin shtator./businessinsider/Gazeta Impakt