Të paktën 50 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase për agjencinë e lajmeve MIA. Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup.
Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë. Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.


















