Bota

Trampi i vendos sanksione Venezuelës, Maduro: “Hiqi duart e tua prej derri nga këtu!”

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, mbajti të premten kritikën më të ashpër kundër Presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, duke i kërkuar atij të ndalojë së ndërhyri dhe duke i thënë “hiqi duart e tua prej derri nga këtu”.

Duke folur para një turme përkrahësish, Maduro akuzoi Trampin për nxitjen e një politike ndërhyrëse që cënon sovranitetin e qeverisë së tij socialiste.

“Shko në shtëpi, Donald Tramp!” Tha ai në anglisht.

Vërejtjet vijnë një ditë pasi administrata Tramp vendosi sanksione kundër tetë anëtarëve të Gjykatës Supreme të Venezuelës, duke i akuzuar ata për dëmtimin e demokracisë së vendit. Një vendim i gjykatës në fund të marsit që e zhveshi kuvendin e kontrolluar nga opozita nga fuqitë e tij të mbetura, ndezi një valë vdekjeprurëse trazirash.

Ndërkohë që udhëheqësit venezuelas i kanë sulmuar shpesh presidentët e SHBA-së në të kaluarën, Maduro ka qenë i kujdesshëm që të mos e antagonizonte Trampin. Por kritikat e përsëritura të Trampin për kombin e trazuar të Amerikës së Jugut duket se i kanë ngritur nervat.

Duke folur së bashku me presidentin kolumbian, Juan Manuel Santos të enjten, Trampi shprehu shqetësim për krizën e Venezuelës, duke pyetur se si një vend që mban rezervat më të mëdha të naftës në vend mund të jetë goditur nga kaq shumë varfëri dhe trazira.

Trampi e përshkroi gjendjen aktuale të Venezuelës si një “turp për njerëzimin”.

Gati dy muaj protesta në rrugë përgjatë Venezuelës kanë lënë të paktën 46 njerëz të vdekur. Demonstruesit po kërkojnë zgjedhje të reja dhe fajësojnë Maduron për inflacionin e trefishtë të vendit, krimet në rritje dhe mungesat e mëdha ushqimore.

Maduro po përpiqet të zgjidhë krizën duke mbledhur një asamble të posaçme për të rishkruar kushtetutën e kombit. Ky propozim është refuzuar nga opozita, dhe të premten, një letër nga kryeprokurorja e kombit, Luisa Ortega Diaz, një besnike e qeverisë për një kohë të gjatë, bëri të qartë se as ajo nuk do ta mbështesë atë.

Ortega Diaz sulmoi qeverinë menjëherë pas vendimit të diskutueshëm të Gjykatës së Lartë në mars, duke e quajtur atë një “rupturë” të rendit kushtetues. Disa ditë më vonë Kongresi e ndryshoi pjesërisht vendimin e tij mes thirrjeve ndërkombëtare.

Në letrën e saj, Ortega Diaz përshëndeti kushtetutën e vendit të vitin 1999 si një nga më të përparuarat në botë dhe si trashëgimia më e mirë e presidentit të ndjerë Hugo Chavez. Ajo tha se shumë larg zgjidhjes së krizës aktuale të vendit, thirrja e asamblesë së posaçme ka të ngjarë të shërbejë vetëm për të përshpejtuar më tej trazirat e vendit.

Maduro tha të premten se rishkrimi i kushtetutës do të vazhdojë.

Sanksionet dhe komentet e Trampit kundër zyrtarëve venezuelas kanë forcuar akuzat e gjata të qeverisë për imperializmin amerikan në çështjet e Amerikës Latine. Maikel Moreno, presidenti i Gjykatës Supreme të Venezuelës dhe ndër të sanksionuarit nga qeveria e SHBA-së, tha të premten se urdhri ekzekutiv i Trampit ishte një përpjekje për të imponuar autoritetin e tij mbi institucionet e Venezuelës, dhe për të kompromentuar pavarësinë e degës së gjyqësorit.

“Hiqi duart nga këtu,” tha Maduro për presidentin e SHBA-së. “Hiqi duart e tua prej derri nga këtu!” / © Gazeta Impakt

OPINIONE