Trashëgimia e Malcolm X

Ahmed Shawki

Malcolm X vdiq para 52 viteve, pikërisht në kohën kur po lëvizte drejt ideve revolucionare që e sfidonin shtypjen në të gjitha format e saj.

Përktheu Lisjan Perolli

Dallimi racor ndoshta nuk ishte ligj në veri tw SHBA-ve në periudhën e pasluftës, por ishte realitet. Në çdo aspekt të jetës, zezakët në veri përballeshin me racizëm dhe ndarje racore. Zezakët që u larguan nga jugu e gjetën veten të detyruar të jetonin në getot e qyteteve të mëdha, dhe t’i arsimonin fëmijët e tyre në shkolla të dobëta. Punët që kërkonin aftësi profesionale ishin të rezervuara për të bardhët. Zezakët ishin vazhdimisht pre e autoritetit të të bardhëve, sidomos pre e ngacmimit nga policia.

Gati çereku i zezakëve tregonin se si janë keqtrajtuar nga policia, ndërsa 40% e tyre tregonin sesi kanë parë të tjerët tek abuzohen. Gjithë shpresat e zezakëve të jugut për veriun liberal ishin kthyer në zhgënjim për ata syresh që jetonin në veri. Edhe pse zezakët e veriut u frymëzuan nga betejat e zezakëve në jug, gjendja e tyre i bëri të lindnin një lëvizje të pavarur – dhe shumë të ndryshme – prej organizatës së udhëhequr nga Martin Luther King Jr., “Southern Christian Leadership Council” (Këshilli i Udhëheqësisë së Krishterë në Jug).

Në vitet e para të luftës për të drejtat civile, shprehja më e rëndësishme organizative e kësaj lëvizjeje të re ishte organizata Nation of Islam (Kombi i Islamit). Në fund të viteve ‘50, anëtarësia e këtij grupi arriti shifrën e 100.000 anëtarëve, dhe Malcolm X ishte anëtari më i zëshëm.

Në terma formalë, idetë e “Nation of Islam” ishin thellësisht konservatore. Organizata kombinoi idetë e islamit ortodoks me disa ide të vetat, duke predikuar një doktrinë të punës së fortë, kursimit, bindjes dhe përulësisë. Duke e parë si thelbësore pavarësinë ekonomike prej shoqërisë së të bardhëve, organizata i nxiste anëtarët e saj të blinin “prodhimet e zezakëve”. “Nation of Islam” krijoi dhjetra biznese, pronësoi ferma, dhe ndërtoi xhami në shumicën e qyteteve të mëdha veriore. Organizata nuk e dënonte kapitalizmin, vetëm të bardhët. Në të vërtetë, shumë zezakë muslimanë kërkonin veç që të përsërisnin sukseset e kapitalistëve të bardhë.

Udhëheqësi i “Nation of Islam”, Elijah Muhammad, kërkonte që të formohej një shtet i pavarur i zezakëve – në SH.B.A apo kudo tjetër. Por përtej kërkesave dhe mbrojtjes së interesave të tyre, organizata ishte kundër përfshirjes në politikë. Fakti që një sekt religjioz kaq i mbyllur në vetvete qe i aftë të rritej në përmasa të tilla dëshmon se sa gjerësisht ishte i përhapur zemërimi tek zezakët e qyteteve veriore. Për qindra të rinj të anëtarësuar në atë organizatë, “Nation of Islam” përfaqësonte respektin për veten, pavarësinë dhe krenarinë.

Malcolm X, oratori i guximshëm, shpejt u bë magnet për plot militantë që dëshironin të futeshin në “Nation of Islam”, me thirrjet e tij që synonin të theksonin hipokrizinë e elitave të bardha. Në përgjigje të akuzës që ia bënin organizatës “Nation of Islam” për racizëm Malcolmi thoshte, pa iu dridhur qerpiku se “Nëse reagon dhunshëm ndaj racizmit të bardhë, sipas meje kjo nuk është racizëm zezak. Nëse vjen me litar që të më varësh, dhe unë të var po me atë litar, për mua kjo nuk është racizëm. I juaji është racizëm, por reagimi im nuk ka të bëjë fare me racizmin.”

Malcolm X e kundërshtonte idenë që integrimi në shoqërinë amerikane ishte i mundshëm apo i dëshirueshëm, dhe i shihte qeverinë federative e Partinë Demokratike jo si aleatë, por si pjesë të problemit. Dhe ishte kritik ndaj liberalëve që flisnin për racizmin në jug, por nuk thoshnin asgjë për gjendjen në veri, duke thënë “Do t’ua heq atë aureolë liberalëve, të cilën e kultivojnë me kaq mund!”

Malcolm X po ashtu kritikonte udhëheqësit e lëvizjes për të drejtat civile. Sipas atij, ata nuk udhëhiqnin betejën, por e frenonin atë.

Ai shkoi edhe më tej, duke sulmuar të gjithë premisën e mosdhunës që karakterizonte lëvizjet kundër diskriminimit në jug të SHBA-ve. Në vend të kësaj, ai argumentonte për vetëmbrojtjen e zezakëve: “Jini paqësorë, të sjellshëm, respektoni ligjin, respektoni të gjithë; por nëse dikush vë dorë mbi ju, dërgojeni në varreza. Kjo është fe e mirë. Në fakt, kjo është feja e kohëve të vjetra… ruaje jetën tënde sepse është gjëja më e mirë që ke. Dhe nëse vjen puna që duhet ta japësh jetën, të paktën jepe duke u barazuar.”

Teknikisht Malcolm X vetëm sa i amplifikonte mësimet e Elijah Muhammad, dhe gjithmonë fillonte fjalimet e tij me frazën “Elijah Muhammad na mëson…” Por Malcom X i kishte kthyer këto ide në një akuzë drejt sistemit, gjithnjë e më shumë duke u shkëputur prej frerëve të “Nation of Islam”.

Përderisa E. Muhammad nxiste qëndrimin larg politikës, Malcolmi po bëhej gjithnjë e më politik. Një anëtar i organizatës ankohej se “Malcolmi ishte ai që e futi konceptin politik të ‘nacionalizmit zezak’ në lëvizjen e muslimanëve zezakë, e cila si lëvizje në esencë ishte e natyrës fetare.”

I vetëdijshëm që politizimi gjithnjë e më i madh i lëvizjes po e ndikonte “Nation of Islam” dhe folësin më të zëshëm të saj, Elijah Muhammad ndërmorri masa për të rikthyer kontrollin në duart e tij.

Një sulm policor në Los Angeles në vitin 1962 e solli falimentimin e politikës së “Nation of Islam”. Në prill të vitit 1962 një musliman zezak ishte vrarë dhe disa të tjerë ishin plagosur nga departamenti policor i Los Angeles-it. Malcolm X fluturoi menjëherë për në Los Angeles për të organizuar reagimin e organizatës. Kombi i Islamit mësonte për vetëmbrojtje, dhe vrasja nga ana e policisë thërriste për kundërveprime hakmarrëse. Por Elijah Muhammad nuk i la ndjekësit e tij që të organizonin një fushatë të fortë për vetëmbrojtje.

Radikalizmi verbal, shpeshherë ekstrem në denoncimin e të bardhëve, ishte i pranueshëm në periudhën e hershme të “Nation of Islam”, kur ishin duke e ndërtuar reputacionin e tyre si kundërshtarë të sistemit. Por shpërthimi i mllefit të zezakëve kërkonte diçka më shumë se fjalët; kërkonte aksion, dhe për këto veprime Elijah Muhammad nuk donte të mbante përgjegjësi.

Dalja nga “Nation of Islam”

Dalja e Malcolm X-it jashtë “Nation of Islam” më në fund ndodhi, në dhjetor të vitit 1963. Duke iu përgjigjur audiencës në një takim në Nju Jork, Malcolmi fajësoi për vrasjen e John F. Kennedyt shoqërinë e dhunës dhe urrejtjes që e kishin krijuar vetë të bardhët.

Edhe pse ky qëndrim ishte konsistent me kundërshtimin ndaj qeverisjes së SHBA-ve që udhëheqësit muslimanë zezakë e kishin shprehur dhe në të shkuarën, Elijah Muhammad e njoftoi Malcolmin se do të pezullohej për 90 ditë në mënyrë që “muslimanët gjithandej të mos asociohen me këtë gafë.” Shpejt u bë e qartë se pezullimi ishte në fakt dëbim.

Me 8 mars 1964 Malcolm X e deklaroi zyrtarisht daljen e tij prej “Nation of Islam”. Lëvizja e zezakëve muslimanë, tha ai, “erdhi në këtë pikë sepse u bë shumë sektare dhe shumë frenuese”. Ai mbështeste angazhim edhe më të madh në betejat që po shpërthenin anembanë vendit, duke paralajmëruar se muslimanët zezakë mund ta gjenin veten “të ndarë nga vija e betejës së me të cilën përballen zezakët”.

Në mënyrë që të përfshihej në lëvizjen e të drejtave civile, Malcolmi doli në përfundimin se duhej ndarë feja nga politika, duke thënë se “ne nuk e përziejmë fenë tonë me politikën tonë, ekonominë apo aktivitetet tona sociale dhe civile – jo më… Ne bashkohemi me këdo, kudo, çdo herë, në çdo mënyrë, në një bashkim që për qëllim ka eliminimin e të këqijave politike, ekonomike dhe sociale të cilat e kanë kapluar komunitetin tonë.”

Në të njëjtin fjalim, ai e përshkroi veten si mbështetës të nacionalizmit zezak.

Embrioni i Anti-Imperializmit

Pas këtyre ngjarjeve, Malcolmi do të nisej për të parin prej dy udhëtimeve të tij për në Afrikë. Këto udhëtime patën impakt të rëndësishëm mbi idetë e tij. Ai u takua me disa udhëheqës të rëndësishëm afrikanë, duke përfshirë Kwame Nkrumah nga Gana dhe Gamal Abdul Nasser nga Egjipti, dhe u influencua nga idetë e “Third Worldism-it”. Në terma të përgjithshëm, “third worldism-i” ishte pikëpamja se bota udhëhiqej prej dy superfuqive – SHBA dhe Bashkimi Sovjetik – dhe se shtetet në zhvillim mund të shërbenin si një alternativë e pavarur.

Kur Malcolm X u kthye në Nju Jork, ai deklaroi formimin e “Organizatës së Bashkimit Afro-Amerikan” (OBAA), që kishte për model “Organizatën e Bashkimit Afrikan” (OBA), e cila i kishte bërë bashkë udhëheqësit e ndryshëm afrikanë. OBAA ishte organizatë e nacionalizmit zezak dhe kishte për qëllim të ndërtonte organizata komunitare, shkolla, sipërmarrje zezake, dhe fushata të regjistrimit të votuesve për të siguruar kontrollin komunitar mbi politikanët zezakë.

Pas vizitës së tij në Afrikë, Malcolm filloi të argumentonte se lufta e zezakëve në SHBA ishte pjesë e një lufte botërore, që ai e lidhte me luftën kundër kapitalizmit dhe imperializmit.

Po ashtu filloi të argumentonte në përkrahje të socializmit. Duke iu referuar shteteve afrikane, ai theksonte se “të gjitha vendet që sot po dalin nga prangat e kolonializmit po shkojnë drejt socializmit.”

Ai nuk e përkufizonte më lirinë e zezakëve si konflikt racor. “Ne po jetojmë në një kohë revolucioni, dhe revolta e zezakut amerikan është pjesë e rebelimit ndaj shtypësit dhe kolonizatorit që e ka karakterizuar këtë kohë,” thoshte ai. “Është gabim të thuhet që revolta e zezakut është thjeshtë revoltë racore e zezakëve kundër të bardhëve, apo thjesht problem i Amerikës. Në vend të kësaj, sot po shohim një rebelim global prej të shtypurve ndaj shtypësve, prej të shfrytëzuarve kundër shfrytëzuesve.”

Malcolmi pra nuk besonte më se e gjithë raca e bardhë ishte kundërshtari, por prapë se prapë e mirëmbante nevojën për një organizatë pa të bardhët: “Të bardhët mund të na ndihmojnë, por nuk mund të anëtarësohen. Nuk mund të ketë bashkim ndërmjet të bardhit dhe të ziut përderisa nuk ka bashkim të zezakëve si fillim. Nuk mund të ketë solidaritet të punëtorëve nëse fillimisht nuk ka solidaritet racor. Nuk mund të bashkohemi me të tjerët pa u bashkuar me njëri-tjetrin.”

Por, konceptimi i ri i Malcolmit mbi betejën e shtyu të vërë në dyshim kuptimin që kishte nacionalizmi zezak. Në janar të vitit 1965, Malcolmi e pranoi se mënyra sesi ai e kishte parë deri atëherë nacionalizmin zezak “po i largonte njerëzit që ishin revolucionarë të vërtetë, të përkushtuar për përmbysjen me çdo mjet të sistemit të shfrytëzimit që ekziston në botë.”

Premtim i humbur

Gjatë kësaj periudhe, idetë politike të Malcolmit po evoluonin me shpejtësi – zhvillim ky që u ndërpre para se të përfundonte, prej vdekjes së tij. Tashmë Malcolm X ishte një ndër zezakët radikalë më të rëndësishëm në SH.B.A dhe ndikimi i tij po rritej sidomos tek aktivistët e rinj.

Malcolm X u vra në momentin kur, siç thoshte ai vetë, po niste të “mendonte për veten”, duke shprehur një program radikal për çlirimin e zezakëve. Vdekja e tij e hershme dhe shtypja e rënia e lëvizjes së zezakëve e ka bërë të lehtë që reformistët mediokër ta përvetësojnë Malcolmin sikur ta kishin të tyrin. Por çdokush që dëgjon fjalimet e tij apo ia lexon shkrimet, nuk mund të dyshojë për trajektoren e tij, e cila përmblidhet mirë në fjalimin e tij të famshëm “Votën apo plumbin” dhënë më 3 prill, 1964, në Cleveland:

“Jo, unë nuk jam amerikan. Jam një prej 21 milionë zezakëve që janë viktima të amerikanizmit. Një prej 21 milionë viktimave të demokracisë, e cila s’është gjë tjetër pos hipokrizi e maskuar. Prandaj nuk kam dalë këtu t’ju flas si amerikan, apo patriot, apo respektues i flamurit, apo valëvitës i tij – jo, jo unë. Po ju flas si viktimë e këtij sistemi amerikan. Dhe e shoh Amerikën prej syve të viktimës. Nuk shoh ëndërr amerikane; shoh makth amerikan.

Është e pamundur të dihet se si do të kishin evoluar politikat e Malcolmit po të kishte jetuar. Ai kishte përqafuar ide që e futnin qartësisht në të majtë të lëvizjes nacionaliste zezake. Ashpërsia e tij ndaj sistemit dhe ndaj dy partive binjake kapitaliste, vendosmëria e tij për të shuar racizmin dhe identifikimi i tij me anti-imperalizmin, përfaqësojnë një kontribut të jashtëzakonshëm në politikat radikale./ rreth

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne