Bota

Tregimet horror do të shkruhen nga inteligjenca artificiale

Ky sistem është stërvitur duke lexuar më shumë se 140.000 tregime horrori dhe jeton në “Twitter”, ku propozon fillimin e një historie të re për ta vazhduar më pas bashkë me njerëzit.

I krijuar në “MediaLab” nga “Massachusetts Institute of Technology” (MIT), sistemi i inteligjencës artificiale Shelley është quajtur me këtë emër në nder të shkrimtares angleze Mary Shelly, autore e romanit simbol të historive të horrorit, Frankenstein.

“Shelly bazohet në një algoritëm të mësimit në internet që mëson nga përgjigjet e publikut”, shpjegon Pinar Yanardhag, përgjegjëse e projektit.

“Më shumë bashkëpunojnë personat me Shelley, më shumë sistemi shkruan histori të frikshme”, shtoi ajo.

Në “Twitter” çdo orë “@shelley” propozon fillimin e një historie të re horrori dhe më pas me hashtagun “#yourturn” fton të gjithë që dëshirojnë të vazhdojnë tregimin.

Secili i përgjigjet me vazhdimin e historisë dhe Shelley u kthen përgjigje. Rezultatet janë tregimet e para horror të dala nga bashkëpunimi mes inteligjencës njerëzore dhe asaj artificiale dhe janë të publikuara në faqen e projektit Shelley.

Disa histori janë të çuditshme, disa argëtuese dhe disa të pabesueshme, sikurse ajo e një burri shtatzënë që zgjohet në spital, një dyshemeje me një gojë që qesh, një qytet i tërë i infektuar nga fantazmat dhe një njeri pa fytyrë që shihet në pasqyrë.

“Krijimtaria e Shelley nuk ka kufij. Gjithçka është e mundur në këto histori që, tregojnë se sa e zhdërvjelltë është fantazia njerëzore dhe njëkohësisht eksplorohen mundësitë dhe limitet e inteligjencës artificiale”, theksojnë studiuesit./ trt

OPINIONE