Ish oficeri i Policisë Gjyqësore të Operacionales, Igli Haxhiaj, i arrestuar nga SPAK se dyshohet se dekonspiroi hetimin për grupin e Visit të Pojës me autoritetet italiane, mendohet se ka pasur bashkëpunëtorë në nxjerrjen e sekreteve hetimore.
Jane siguruar dosje, në të cilën janë administruar biseda të shumta të tij në “SkyECC” me Denis Myftiun, i shpallur në kërkim, ku flitet për pazaret e dhënies së informacioneve. Interesant është fakti që Igli Haxhiaj nuk i kërkon para në këmbim të informacioneve vetëm për vete, por edhe për 2 të tjerë, 15 mijë euro, nga 5 për secilin.
“Vlla kjo punë ka një kosto dhe po deshe ok po s’deshe ti e di….. që të të ndihmoj dhe ke për ti pa gjojnat vlla. Jemi 3 veta nga 5 mijë vlla. Une kam burrëri dhe të tregoj gjithçka, por duhet ti me bashkëpunu dhe mos lon me dyshu që nga e ke marr vesh. Por do e bëjmë rastësisht, dmth që ti e vërteton dhe mos biesh në sy nga e more vesh”, shkruan Haxhiaj.
Dhe në fakt kështu është bërë. Në komunikimet në vijim ai e informon Denis Myftiun se vetë ai dhe e gjithë familja janë në përgjim dhe duhet të bëjnë kujdes se çfarë flasin. Ky informacion është dhënë si dhuratë, por sipas burimeve, në vijim Haxhiaj i thotë se çdo informacion që do t’i kërkohej do të paguhej.
SPAK ka dyshime se Igli Haxhiaj është përfshirë edhe trafikun e drogës. Atij i janë gjetur në “SkyECC” edhe biseda më përdorues të tjerë, me të cilët flet për shitje dhe transport droge.
Igli Haxhiaj: Vlla si e ke punen andej… A ke noi mall te mire me çmim?
Igli Haxhiaj: Kuptoj file… Ca cmimi.. A eshte e mire?… Me lek ne dore se pa lek sdua une… A eshte e mire di gje?
Igli Haxhiaj : Merri nja 2 grame, po pres dhe kete me 37, tja blej ta provoj se mund te me duhen 2.
Deri tani, nuk ka prova të jenë sekuestruar sasi narkotikësh dhe si pasojë nuk është kryer ekspertim nëse kemi të bëjmë me kokainë. Bisedat ngrenë dyshime për shitje, blerje apo transporti droge, pavarësisht nëse episodet janë realizuar apo jo, por ende nuk ka një akuzë ndaj tij për trafik.
Ndërkohë, Denis Myftiu, që vijon të jetë në kërkim nga SPAK, është marrë me organizimin e trafikut të kokainës dhe heroinës nga Shqipëria në Itali. Në vendin fqinj, konkretisht në Bergamo, ka bashkëpunuar me Saimir Barotin, i cili po ashtu dyshohet i përfshirë edhe në transferimin e parave të drogës që shitej në Itali dhe jo vetëm, pasi i dërgonte nga Zvicra përmes sistemit “Haëala”.
Këtu del në pah një strukturë e tërë e transferimeve, i cili menaxhohej nga Tirana nga Ervis Ferizaj. Ferizaj, sipas burimeve hetimore, kishte mundur të krijonte lidhje bashkëpunimi me agjenci të transfertave të parave në Zvicër, të cilat merrnin 6% fitim. Ferizaj dyshohet të jetë edhe pjesë e trafikut të drogës po ashtu.
Haxhiaj, i cili së fundmi ishte transferuar te Antiterrori, është lënë në burg nga GJKKO këtë të premte, edhe pse para togave të zeza pretendoi se nuk ka qenë pjesë e grupit të Visit të Pojës dhe as nuk ka komunikuar me ta.
Efektivi, i cili akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre e nxjerrje të sekretit hetimor, thotë se i kanë përdorur emrin dhe se nuk ka pasur kurrë llogari në aplikacionin SkyECC.
Tre anëtarët e tjerë të grupit Asti Llupi, Altin Shehaj dhe Erald Salla do të dalin para gjykatave të rretheve pasi u vendosën në pranga me qëllim ekstradimin në Itali. Gjykata e Breshias lëshoi 24 masa sigurie, nga të cilat 3 u ekzekutuan në vendin tonë, ndërsa 3 anëtarë të tjerë dyshohen se fshihen po më Shqipëri.
Për këtë operacion, Italia ka shpallur në kërkim edhe Visin e Pojës dhe anëtarë të tjerë të grupit. Ata dyshohet se kanë trafikuar 1.3 kokainë nga Amerika e Jugut në Itali gjatë viteve 2020-2025. Doçi dhe dy anëtarë të tjerë Denis Myftiu dhe Erion Kapidani lëshonin urdhra dhe koordinonin aktivitetin kriminal.















