Tremujori III, kredia e dhënë nga mikrofinanca në rritje vjetore me 15%

Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka është rritur më tej në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të 9-mujorit 2023 arriti në 53.7 miliardë lekë ose pothuajse 507 milionë euro.

Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me më shumë se dy miliardë lekë gjatë tremujorit të tretë të vitit dhe me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pjesën dërrmuese, portofoli kredisë së institucioneve financiare jobanka i takon institucioneve të mikrofinancës. Vlerësohet se kredia e dhënë nga mikrofinanca përbën tashmë afërsisht 7% të portofolit të total të kredisë për ekonominë.

Kredia e institucioneve financiare jobanka jepet kryesisht në monedhën vendase dhe kjo ka bërë që efekti i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit të jetë më i vogël krahasuar me sektorin bankar. Në fund të tremujorit të tretë, kredia në Lekë përbënte më shumë se 68% të vlerës totale të portofolit të kredisë.

Mikrofinanca në Shqipëri përmbush kryesisht nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro. Mikrofinanca synon kryesisht atë segment që ka vështirësi për të siguruar akses për financim nga sektori bankar, duke përfshirë subjektet me të ardhura më pak të formalizuara dhe fermerët.

Rritja e inflacionit dhe e normave të interesit që prej fillimit të vitit të kaluar krijoi një mjedis më sfidues për aktivitetin e mikrofinancës. Për shkak të rrezikut më të lartë, sektori i mikrofinancës mund të ishte më i ekspozuar ndaj efekteve të inflacionit të lartë në aftësinë paguese të klientëve. Nga ana tjetër, këto institucione u përballën me një rritje të kostove të financimit, për shkak të rritjes së normave të interesit në tregjet financiare. Megjithatë, pavarësisht sfidave që shtroi inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit, kredia në këtë segment po vazhdon të rritet me ritme dyshifrore.

Që prej vitit 2022, mikrofinanca konsumatore është ndikuar edhe nga aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore. Megjithatë, sipas ndryshimeve të përkohshme rregullatore që u miratuan në muajin mars të këtij viti, përditësimi i normës maksimale efektive të interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë dhe për ato nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë është pezulluar.

NEI maksimal për këto kredi do të qëndrojë për një vit në nivelet ku ndodhet aktualisht, përkatësisht 118.96% për kreditë deri në 200 mijë lekë dhe 47.07% për fashën nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë. Mosulja e mëtejshme e NEI-t maksimal duket se ka ndihmuar në vijimësinë e rritjes së kreditimit nga këto institucione, pavarësisht rritjes së kostos së linjave të tyre të financimit./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne