Trump dhe Macron bisedojnë për zhvillimet në Mesdheun Lindor

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron në një bisedë telefonike theksuan se tensionet në Mesdheun Lindor duhet të ulen.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere në një deklaratë me shkrim tha se Trump dhe Macron zhvilluan sot një bisedë telefonike.

Ai tha se Macron ka përgëzuar Trumpin për marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA). Zëdhënësi Deere theksoi se dy liderët kanë biseduar që Kombet e Bashkuara duhet të veprojnë në mënyrë urgjente për zgjatjen e embargos së armëve kundër Iranit.

“Dy liderët në të njëjtën kohë shprehën shqetësime për tensionet në rritje mes dy vendeve aleate të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor. Trump dhe Macron u dakorduan se Greqia dhe Turqia duhet t’i përmbahen dialogut si rrugë e vetme për të zgjidhur dallimet”, tha Deere.

Po ashtu në bisedë në rend dite ishte edhe çështja e Libanit, bëri të ditur Deere duke shtuar se “Trump ka vënë theksin që SHBA-ja do të vazhdojë të sigurojë ndihmën që nevojitet për popullin e Libanit. Trump nënvizoi se në qeverinë e Libanit ka nevojë për reformë emergjente, transparencë dhe llogaridhënie”.

Gjithashtu edhe Macron në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter ka thënë se në bisedën me Trumpin kanë diskutuar mbi çështjet në Mesdheun Lindor, Libinë dhe Libanin.

Macron tha se pikëpmajet e tij me SHBA-të bashkohen në shumë pika. “Paqja dhe siguria në rajon janë interesat tona të përbashkëta”, tha presidenti francez.

Duke e cilësuar “një vendim të guximshëm” marrëveshjen mes EBA-së dhe Izraelit, Macron tha: “Shpresoj se kjo do të ndihmojë në sigurimin e një paqeje të përhershme mes popujve të Izraelit dhe Palestinës”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne