Trump: Dorëheqja e Morales, një ngjarje e rëndësishme për demokracinë e hemisferës perëndimore

“Këto ngjarje dërgojnë një sinjal të fortë për regjimet e paligjshme në Venezuelë dhe Nikaragua se demokracia dhe vullneti i popullit gjithmonë do të mbizotërojnë”, theksoi Trump përmes një komunikate me shkrim, në të cilën përshëndeti largimin e Morales si afrim drejt një “hemisfere perëndimore plotësisht demokratike, të begatë dhe të lirë”.

“Largimi i Morales, pas 14 vjet përpjekjesh për t’u vendosur mbi kushtetutën dhe vullnetin e popullit të Bolivisë, ruan demokracinë dhe i hap një rrugë të re popullit bolivian që të ngrejë zërin e tij. SHBA-ja duartroket popullin bolivian që kërkon liri dhe ushtrinë boliviane që respekton betimin e saj për të mbrojtur kushtetutën e Bolivisë dhe jo thjesht një person të vetëm”, shtoi ai.

Në zgjedhjet presidenciale të 20 tetorit në Bolivi, Evo Morales, presidenti i parë indigjen i këtij shteti, fitoi 47,8 për qind të votave duke siguruar fitoren në raundin e parë. Por kur opozita hodhi pretendimin për mashtrime dhe manipulime në zgjedhje, disa parti u kërkuan mbështetësve që të dalin në rrugë për protesta.

Pasi opozita bëri thirrje për anulimin e zgjedhjeve, Morales njoftoi se do të kishte zgjedhje të reja, por mbështetësit e opozitës thanë se ata do t’i vazhdonin protestat derisa të mbahen zgjedhjet pa të.

Të dielën, në një fjalim televiziv, shefi i ushtrisë boliviane, Williams Kaliman, i bëri thirrje Presidentit Morales që të japë dorëheqjen.

Morales tha se një “grusht shteti” ishte kryer kundër tij dhe njoftoi dorëheqjen për të parandaluar liderët opozitarë, Luis Fernando Camacho dhe Carlos Mesa, një ish-president, që t’u lëshonin udhëzime të tjera mbështetësve të tyre për të sulmuar bolivianët.

Evo Morales ka shërbyer si president i Bolivisë që nga viti 2006 e këtej./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne